Infermieret janë një nga shtyllat e sistemit tonë shëndetësor dhe me përvojën, diturinë dhe ekspertizën e tyre, kontribuojnë dukshëm në përmirësimin e epilogut të mjekimit të pacientëve. Si Qeveri jemi të përkushtuar në avancimin e sistemit shëndetësor, theksoi sot ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në hapjen e punëtorisë kushtuar këmbimit të përvojave rreth standardeve për arsim profesional për infermieret.
Temë e punëtorisë ishte implementimi i direktivës së BE-së për njohje të kualifikimeve profesionale, në drejtim të rinjohjes së profesionistëve në sferën e shëndetësisë, siç janë infermieret. Bëhet fjalë për zbatimin e procesit për avancim të vazhdueshëm të njohurive dhe shkathtësive, përforcimin e strukturës arsimuese dhe programeve për infermieret dhe obstetret.
“Filluam me rritjen e të ardhurave personale të punonjësve shëndetësorë për pesë për qind, ndërsa këtë vit për plotësisht pesë për qind i rritëm rrogat e infermiereve. Si stimulim plotësues ishte edhe realizimi i rritjes së kompensimit për kujdestaritë, punën e natës dhe punën shtesë të infermiereve, të cilat punojnë në klinika dhe spitale”, tha Filipçe.
Theksoi se theksin e kanë vënë edhe në trajnimin për avancimin e njohurive dhe shkathtësive për uljen e infektimeve spitalore, kulturën spitalore. Në dy vitet në vijim, theksoi, do të vijnë ekspertë nga Izraeli me të cilët nënshkruam marrëveshje për sendërtimin e njohurive jo vetëm të infermiereve, por edhe të mjekëve, ndërkaq në kuptimin e implentimit të sistemit të paramediks në shtetin tonë dhe për herë të parë implementimin e sistemit të telemjekësisë.
“Në kuptimin e harmonizimit të legjislaturës tonë me atë evropiane planifikojmë që veprimtarinë e infermiereve ta vendosim në ligj dhe ta rregullojmë më mirë, ndërsa në ndonjërën nga fazat e ardhshme edhe miratimin e një ligji të ri, pas miratimit të ligjit të ri për mbrojtje shëndetësore dhe për veprimtarinë mjekësore, por edhe për infermieret dhe obstetret. Ky do të jetë sistem që do t’i analizojë dhe harmonizojë mirë kualifikimet dhe kompetencat me Bashkimin Evropian, ndërkaq me qëllim që secili ta fitojë atë vend pune që e meriton, në pajtim me edukimin, përvojën dhe stazhin. Në atë kuptim edhe harmonizimi i numrit të orëve dhe definimi i saktë i praktikës përballë edukimit teorik”, shtoi Filipçe.
Atasheu austriak për punë, punë sociale, shëndetësi dhe mbrojtje të konsumatorëve për Maqedoni, Harald Fuger tha se në BE ka direktivë për njohje të kualifikimeve profesionale posaçërisht në profesionet nga veprimtaria shëndetësore. Sipas tij, ato standarde kontribuojnë për një cilësi shumë më të madhe në shërbimet shëndetësore.
“Këto profesione të njohura janë shumë të rëndësishme për mobilitetin e punonjësve shëndetësorë”, shtoi Fuger.
Ludmilla Gaser nga Minsitria austriake e Punës, Punëve Sociale, shëndetësisë dhe mbrojtjes së konsumatorëve, theksoi se kur Austria është bërë anëtare e BE-së atëherë të gjitha rregullat nga BE-ja që kishin të bënin me profesionet ishin sfidë.
“Për shembull, tek obstetret është dashur ta vazhdonim arsimimin që deri atëherë ishte dy vite, por ajo nuk ishte në pajtim me standardet evropiane. Kështu që, ishim të obliguar ta vazhdonim në pajtim me rregullat e BE-së. E njejta gjë ishte edhe me stomatologët. Derisa nuk u bëmë anëtare e BE-së, nuk kishim stomatologji si profesion dhe arsim individual. Kishim studime të mjekësisë, ndërsa pas përfundimit të tyre, mund të vazhdoheshin studimet për stomatologji. Nga BE-ja na u caktua se stomatologjia është profesion i veçantë dhe duhet t’i sigurohet arsimim adekuat…” tha Gaser dhe shtoi se direktiva për njohje të kualifikimeve është prej vitit 2005.(koha.mk)