Shkup, 7 qershor – Në vijim është përgatitja e ligjit të ri për ndërprerjen e shtatzënisë me të cilin gruas i jepet mundësia për zgjedhje të lirë për abort deri në javën e 12-të, në konsultim me gjinekologun familjar. Zgjedhje të lirë për ndërprerjen e shtatzënisë, gruaja do të ketë edhe deri në javën e 22-të të shtatzënisë, me vlerësimin e komisionit të përbërë nga dy gjinekologë dhe një punonjës social.
Këtë sot e kumtoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në simpoziumin profesional në temë “Anomali kongjenitale – sfida, dilema dhe trajtim” në organizim të Shoqatës së Mjekëve të Maqedonisë.
“Pas mbushjes së 22 javëve të shtatzënisë, do të formohet komision i veçantë profesional i cili do të duhet të bëjë vlerësim për miratimin e ndërprerjes së shtatzënisë. Ai komision, përveç gjinekologëve dhe obstetërve, do të përbëhet edhe nga specialistë nga kirurgjia për fëmijë, kardiologjia për fëmijë, kardiokirurgjia, neurokirurgjia, anesteziologjia dhe punonjës socialë. Në rast të anomalisë kongjenitale tek fryti, gruaja ka të drejtë ta ndërpresë shtatzëninë në bazë të mendimit të këtyre specialistëve”, tha Filipçe. Shtoi se vendimi për ndërprerjen e shtatzënisë është e drejtë e gruas dhe se këtë nuk mund askush t’ia ndalojë.
Ministri i Shëndetësisë deklaroi se kanë bërë disa ndryshime në ligj në harmonizim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe në komunikim të vazhdueshëm me grupin e punës të përbërë nga gjinekologë dhe ekspertë të tjerë të cilët kanë rol profesional në procesin e abortit.
“Ajo që është e re, që nuk ka qenë në ligjin e deritanishëm, është që dëshirën e gruas e vendosim në vend të parë në këtë periudhë”, tha Filipçe. Shtoi se draft versioni i ligjit është përgatitur dhe se është e nevojshme edhe një konsultim final me të gjithë të cilët janë të interesuar për ndryshim të ligjit, me personat profesionistë nga Klinika për gjinekologji dhe obstetrikë, MPPS dhe organizatave joqeveritare.
Filipçe deklaroi se ka avancim të madh në lidhje me diagnostifikimin, prenatale dhe intrauterina, me metoda të ndryshme të cilat, siç tha, në mënyrë shtesë dëshirojmë t’i avancojmë me mundësimin e metodave të reja për diagnostifikim, por edhe në trajtimin e foshnjave të lindura para kohe dhe foshnjave të lindura me sukses të shkëlqyer, implementohen metoda të reja në shëndetësinë tonë publike.
Ekspertë në specialitete të ndryshme, në simpozium do t’i promovojnë arritjet në mjekësinë tonë. Të dhënat tregojnë se për shkak të një anomalie kongjenitale në vit në botë vdesin rreth 300.000 foshnja në periudhën prej katër javësh pas lindjes.