Shkup, 30 maj – Përdorimi i duhanit dhe ekspozimi i pirjes pasive kontribuojnë përafërsisht për 12 për qind te të gjitha rastet e vdekjes te sëmundjet e zemrës, ndërsa eliminimi i përdorimit të duhanit mund të mbrojë miliona njerëz të vdesin nga zemra ose sulmi në tru, deklaroi sot ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe me rastin e 31 Majit, Ditës Botërore pa duhan.
Nën moton “Zgjidh shëndet, e jo duhan”, Ministria e Shëndetësisë edhe këtë vit në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe Institutin për Shëndet Publik tradicionalisht e shënojnë Ditën Botërore pa duhan.
“Në Republikën e Maqedonisë, sipas të dhënave të Institutit për Shëndet Publik, në vitin 2016 nga sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut kanë vdekur 10.920 persona me shkallë të vdekshmërisë prej 526,9 në 100.000 banorë. Sëmundjet e sistemit kardio-vaskular marrin pjesë me 53,5 për qind në mortalitetin e tërësishëm dhe janë në vend të parë në strukturën e shkaqeve të vdekjes”, deklaroi Filipçe.
Potencoi se pirja e duhanit paraqet rrezik të dëshmuar për shëndetin e popullatës, rrezik për sëmundje dhe problem global publik-shëndetësor, për shkak të së cilës e domosdoshme është të ndërmerren masa urgjente për të dëshmuar kundërindikacionin e duhanit.
“Me këtë fushatë dhe me përpjekje të përbashkëta të të gjitha palëve të prekura në parandalim dhe zvogëlim të përdorimit të duhanit, mund të arrijmë shumë në përparimin e shëndetit të të gjithë qytetarëve, që është investimi më i rëndësishëm në zhvillimin shoqëror ekonomik të çdo shteti”, deklaroi Filipçe.
Ai theksoi se Ministria së bashku me Qeverinë këtë vit kanë vendosur që Programi për parandalim të sëmundjeve të zemrës të plotësohet me pesë milion denarë.