Shkup, 3 maj – Pas skandalit në banjën e Katllanovës, e cila me vite ka punuar veprimtari shëndetësore pa licencë, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, paralajmëroi kontroll për të gjitha banjat e vendit. Ministri Filipçe gjatë ditës ka realizuar takim me Fondin për Sigurim Shëndetësor me qëllim të shqyrtimit të këtij problemi.
Filipçe tha se drejtuesit e banjës së Katllanovës janë drejtuar në Ministrinë e Shëndetësisë, që të përfundojnë procedurat për regjistrimin e këtij institucioni edhe për kryerjen e terapive mjekësore, në pajtim me ligjet e vendit.
“Në të gjitha banjat do të ketë kontroll. Atë që tani e zbuluam në banjën e Katllanovës, e sanksionuam menjëherë në mënyrë duke ndërprerë të gjitha veprimtaritë shëndetësore dhe i drejtuam njerëzit që punët t’i rregullojnë përmes procedurës ligjore. Jo çdo banjë është e regjistruar si institucion shëndetësor privat, por si ndërmarrje. Kjo është diçka që ne tani do ta rregullojmë konform rregullativave ligjore të vendit”,- deklaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.