Shkup, 10 qershor – Nuk ka bisedime të fshehta me Bullgarinë, nuk ka kurrfarë skenarë të fshehtë, nuk ka bisedime për gjuhën dhe identitetin. Veprimet e VMRO-DPMNE-së nuk i kuptoj, theksoi ministri i Shëndetësisë dhe nënkryetar i LSDM-së, Venko Filipçe në edicionin e sontëm të emisionit “Vetëm e vërteta” (Samo vistina) në televizionin Kanal 5.
Ai theksoi se VMRO-DPMNE-ja ishte e ftuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme që, sipas tij, është edhe një dëshmi se nuk ka asgjë të fshehtë.
“Gjithçka është e hapur dhe transparente. Asnjë akt, asnjë dokument, asnjë negociatë nuk është fshehur dhe ai është vendim i kësaj Qeverie. Gjithçka është publike dhe transparente. Për Marrëveshjen e Prespës kishte referendum. Çka u fsheh atëherë. VMRO-DPMNE-ja duhet të japë mbështetje për proceset të cilat nënkuptojnë rrumbullakësim të asaj rruge të gjatë drejtë integrimeve evropiane, që e kaloi vendi në interes të qytetarëve”, tha Filipçe.
Sipas tij, dalja e vogël në protesta është fiasko e politikës së VMRO-DPMNE-së.
“Politika duhet të jetë instrument që të bisedohet, të gjendet zgjidhje e përbashkët dhe të arrihet konsensus. Këtë qytetarët e presin nga ne”, tha Filipçe.
VMRO-DPMNE-ja opozitare tashmë disa ditë në Shkup dhe në qytetet më të mëdha të shtetit mban protesta kundër, siç thonë, shitjes së interesave kombëtare dhe shtetërore nga ana e pushtetit. Kërkojnë transparence më të madhe në bisedimet me Bullgarinë.