Shkup, 1 korrik – Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, sot deklaroi se këto ditë do të diskutojnë me autoritetet shëndetësore të Kosovës dhe Serbisë për gjendjen me koronavirusin dhe rreziqet e mundshme për shtetin tonë.
I pyetur në lidhje me numrin në rritje të njerëzve të infektuar me Kovid-19 në Kosovë dhe në Serbi, nëse diskutohet me qeverinë dhe me Komisionin e Sëmundjeve Infektive për mbylljen e mundshme të kufijve dhe fluksin e madh të njerëzve nga këto vende, Filipçe tha se deri më tani nuk ka pasur diskutim të tillë.
“Për momentin jo, sepse të dhënat zyrtare deri më tani nuk tregojnë numër të madh, megjithëse kishim informacione se diçka jozyrtare po ndodh. Ne do të flasim këto ditë me përfaqësuesit e autoriteteve të tyre shëndetësore për të parë se cila është gjendja, cilat janë rreziqet e mundshme për vendin tonë. Po, absolutisht po, nëse në çdo kohë vendosim që është e nevojshme ndonjë masë kufizuese, pavarësisht nëse është duke kaluar kufirin apo lëvizje kufizuese në ndonjë pjesë të vendit, do ta rekomandojmë”, tha Filipçe pas takimit me përfaqësuesit e Shoqatave për sëmundje të rralla në Parkun e Qytetit.
I pyetur nëse politikanët mbrohen sa duhet gjatë fushatës zgjedhore, Filipçe theksoi se parimet janë të qarta dhe vlejnë për të gjithë, për çdo tubim.
“Të mbahet maskë dhe të ruhet distanca. Të gjithë ata që nuk respektojnë e vendosin shëndetin e tyre dhe natyrisht shëndetin e të gjithëve në rrezik”, theksoi Filipçe.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me punonjësit shëndetësorë që kërkojnë përjashtim nga Këshillat zgjedhor, ministri Filipçe tha se për këtë kishte diskutuar me Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KSHZ).
“Numri i aplikimeve për përjashtim është praktikisht identik me ato të viteve të kaluara. Këta janë njerëz të përzgjedhur në Këshillat zgjedhor nga viti 2016. Kështu që ata kanë përvojën, njohuritë, ndoshta ndihmën për zbatimin e protokolleve. Përjashtimi i tyre do të prishte seriozisht këtë proces. Bëhet fjalë për disa mijëra njerëz. Por, ne, po shqyrtojmë raste individuale, nëse ka sëmundje kronike ose ndonjë arsye tjetër dhe që mund t’i përgjigjet individualisht”, tha Filipçe.