Shkup, 8 mars – Ndryshimet e paralajmëruara në Ligjin për abort, është tema e takimit të sotëm të ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe, me përfaqësuesit e organizatave të grave, si partner të Ministrisë në krijimin e politikave për përparimin e shëndetit të nënave dhe foshnjave.
“Me ndryshimet të cilat janë bërë para disa viteve, është ndërlikuar shumë procedura, u vendosën shumë procedura administrative, ndërsa konsiderojmë se një pjesë e tyre zgjatin aq gjatë që mund madje edhe ta rrezikojnë shëndetin e gruas. Dëshirojmë ta sqarojmë qëndrimin tonë,. ta dëgjojmë zërin e tyre dhe së bashku të konfirmojmë se cili është opsioni më i mirë, si t’ju ndihmohet grave të cilat dëshirojnë ta zbatojnë abortin pa asnjë rrezik për shëndetin e tyre”, tha Filipçe para takimit të organizuar në Ministri me rastin e shënimit të 8 Marsit – Ditës ndërkombëtare të gruas.
Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve theksoi se do të hiqen një pjesë e komisioneve gjegjësisht do të gjindet forma më e mirë administrative që kjo të zbatohet në afat sa më të shkurtër të mundshëm pa me këtë rast të rrezikohet shëndeti i gruas. Shtoi se planifikojnë ta heqin këshillimin e obligueshëm të grave shtatzëna të cilat dëshirojnë ta ndërprejnë shtatzëninë.
Në lidhje me ndërtimin e Qendrës klinike tha se gjatë ditëve të fundit kanë pasur takime me shumë shoqata të arkitektëve dhe se nesër më konkretisht do të informojë dhe do ta sqarojë vendimin.
Në pyetje të gazetarëve për ngecjen në lidhje me transplantimit kadaverik, tha se ende nuk ka regjistër të pacientëve të cilët presin transplantim.
Sqaroi se në Ministrinë e Shëndetësisë sot mysafir ishte koordinuesja kombëtare për transplantim nga Kroacia, e cila tërësisht është e involvuar në procesin e transplantimit kadaverik, dhe punon në përshtatjen e ligjeve kroate me ato evropiane në pjesën e rregullativës të cilën edhe Maqedonia do të duhet ta harmonizojë.
“E kemi për qëllim që tërë procesin e transplantimit ta organizojmë në mënyrën në të cilën fillimisht legjislativën do ta afrojmë deri te ligjet evropiane dhe të bëjmë organizim të ekipit dhe regjistër të pacientëve me të cilët atë proces do ta lëvizim”, shtoi Filipçe.