Shkup, 21 maj – Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe sot mohon se pasojnë shkarkime të personave udhëheqës në spitale pas dorëheqjes së drejtoreshës së Klinikës së fëmijëve, Katerina Stavriq.
“Nuk bëhet fjalë se pason çfarëdo lloj shkarkimi. Edhe gjatë ditës së djeshme deklarova se kemi komunikim të vazhdueshëm me të gjithë drejtorët e institucioneve publike shëndetësore. Drejtoresha e Klinikës për sëmundje të fëmijëve dha dorëheqje që para disa muajve, kur ishte në rrjedhë procesi zgjedhor. Atëherë kishim bisedë, u dakordua të mbetet deri në përfundimin e zgjedhjeve në mënyrë që të mund t’i bëjmë ato ndryshime”, tha Filipçe, duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve pas vendosjes së luleve dhe pas shërbesës fetare në UCM.
Ai informoi se nuk kanë zgjedhur njeri me të cilin do të bisedojnë për ta zëvendësuar Stavriqin.
“Kjo do të ndodhë në periudhën pasi që deri në fund të javës edhe njëherë do të takohem me drejtoreshën. Dëshiroj të bisedoj, të shoh cilat janë shkaqet që e kanë shtyrë të japë dorëheqje, nëse mund të tejkalohen, nëse do të donte të mbetej, sepse megjithatë kaloi një kohë e caktuar. Atëherë kur e parashtroi dorëheqjen, tha se bëhet fjalë për shkaqe personale”, sqaroi Filipçe.
Delegacioni qeveritar i kryesuar nga ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në përbërje të të cilit ishin edhe ministrja pa resor, e angazhuar për investime të huaja, Zorica Apostollska dhe sekretari shtetëror për arsim dhe shkencë, Enver Husein sot vendosën lule dhe morën pjesë në shërbesën fetare për nder të Shën Cirilit e Metodit që u mbajt në Kampusin universitar.