Filipçe mesazh mjekëve: Jeni heronj të kësaj beteje!

13

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe sot në një video mesazh i ka uruar punonjësit e shëndetit për 7 Prillin, Ditën ndërkombëtare të shëndetit, duke u dhënë mirënjohje për rolin kyç që ata e kanë në kujdesin shëndetësor dhe kujdesin për shëndetin tonë.

“Këtë fjalim jua kushtoj juve, punonjësve të shëndetësisë. Në këto momente, duke u përballur me sfidën më të madhe shëndetësore në botë, ne po drejtojmë betejën e gjeneratës sonë. Koronavirusi nga rrënja ka ndryshuar jetën tonë të përditshme dhe do të bëjë ndryshime të përjetshme në jetët tona. Por, në këtë betejë ju jeni heronjtë. Puna dhe sakrifica juaj e vështirë shpëton jetë dhe pikërisht për shkak të jush, njerëzit besojnë se ata do të jenë të sigurt dhe të shëndoshë”, thotë Filipçe në fjalimin e tij.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, tani shëndetësia  dhe punonjësit shëndetësorë tani janë shtylla kryesore në vend.

“E di që për momentin ju po mbani një ngarkesë të madhe. Lodhja po na arrin ngadalë të gjithëve, ndërsa na presin ditë akoma më të vështira përpara. Por, unë besoj se secili prej jush e di se sa e rëndësishme është të vazhdosh, të qëndrosh i përkushtuar, të përqendrohemi dhe të bëjmë çmos për të ndihmuar bashkëqytetarët tanë”, tha ai.

Ministri Filipçe u thotë punonjësve të shëndetit se tani është shumë e rëndësishme të kujdeseni për veten dhe shëndetin tuaj.

Kjo ditë është dita juaj, ju jeni në piedestal, thotë Filipçe, krenohuni për atë që bëni, kush jeni dhe sa të rëndësishëm jeni për secilin nga ne.

“Unë ju uroj për ditën e shëndetit dhe të punonjësve shëndetësor dhe ju falënderoj sinqerisht për gjithçka që bëni për të kapërcyer krizën”, theksoi ministri i Shëndetësisë.

Për momentin, në vend përveç detyrave tuaja të rregullta, të gjithë punonjësit e shëndetit dhe sistemi shëndetësor janë mobilizuar për t’u marrë me koronavirusin dhe për të ruajtur shëndetin publik.

Comments are closed.