Mirëpo, në terrenin shqiptar mund të gjenden njerëz, të cilët kapin ndonjë dimension të dështimit të Ronela Hajatit në Eurosong 2022, për ta bërë tërkuzë. Njëri prej tyre, si argument pse nuk paska mundur Alban Ramosaj, i cili kishte një baladë të bukur, ta prezantojë Shqipërinë në Eurosong, na qenka se ai është kosovar! Çka t’i thuash këtij argumenti?
Nga Daut DAUTI
- Një vit më thirrën të jem anëtar jurie për një manifestim interesant që ishte imitim i një manifestimi tjetër. Nuk është kjo çështja. Unë shpejt e kuptova që s’isha për atë juri, sepse duhej të vlerësoja më të mirët në disa fusha, që nga sporti, muzika, letërsia…, dhe sidomos kjo e fundit ishte jashtë çdo kriteri, sepse as ishin zgjedhur kandidatët më të mirë, por ishin përzier libra që nga matematike e gjer te ndonjë libër letrar dhe thash se kështu nuk shkon, shihni tjetër herë qartësoni gjërat. Hatri i madh ishte që të qëndroja gjer në fund, sepse ashtu dhe për hatër dhe ishte gjithë ajo punë, me sugjerim të një miku dhe me një përfitim të një lëngu a kafeje në vetë manifestimin.
Po ku dua të dal, sepse gjithë ky hatër, përfundoi me një hatërmbetje. Në atë turli-tava kategoritë, më ra hise të vendosim edhe se a do të fitojë “Zogu”, apo ndonjë këngë e këngëtare tjetër. Kishte një marrëveshje xhentëlmenë, që në vendimin përfundimtar për ndonjë kategori, fjalën kryesore t’ia jepnim kandidatit që eksperti i fushës do ta thoshte, e ne do t’ia jepnim vetëm aminin. Dhe më duket se në kategorinë e muzikës pikërisht unë isha ai që e prisha këtë “pakt”, sepse e mora fjalën para anëtarit që ishte kompozitor i njohur, i cili, me gjasë kishte ardhur që për muzikë t’ia jep votën “Zogut”, që kishte bërë “rusfaj” nëpër Jutuba e toplista, sepse nuk kishte emision muzikor e të mos na dilte “zogu” i Saj përpara! Por, unë mendova ndryshe: pas vendimit të jurisë, të gjithë ne do të ktheheshim nëpër shtëpitë tona, unë dhe një profesoreshë, ai kompozitori, një regjisor… alamet burra e gra të çmuara të kombit dhe do të na pyesnin, për kë votuat ju? Më dukej e pështirë të tregoja se votën ia kam dhënë “zogut”…sepse s’do të doja që të gjeneratave më të reja t’u bëja me dije se “zogu” është vlera që duhet të marrin si mostër!
Pakashumë këto ishin dhe argumentet e mia në komision. Kompozitori në mënyrë indirekte u kuptua se nuk ishte i lumtur që të gjithë anëtarët tjerë ranë nën ndikimin e arsyetimit tim, pasi konsideronte se shkupjania jonë eksplozive, meritonte më shumë, ndërsa me votat tona mbeti e fundit, nëse nuk gaboj, sepse as në kombinim me votat e publikut(sepse ashtu nxirrej rangimi), nuk do të fitonte. Hatërmbetja u kuptua, por më vonë erdhi për ne edhe një shuplakë edhe nga Ajo, në stilin kush janë Ata që të më vlerësojnë mua! Ne në të vërtetë, nuk e kishim vlerësuar atë, sepse ajo vërtet ishte një këngëtare e talentuar, por kishim vlerësuar se “zogu” i saj nuk mund të merrte votat nga një grup intelektualësh që pa fajin e tyre ishin gjetur në atë juri e cila e kishte atë fat të marrëzishëm që ta vlerësojnë pikërisht “zogun” e saj…
Nejse, kjo ka vite që ka ndodhur! Paksa e kishim harruar, “zogun e parë” kur ja, u bë prapë përrallë një “zog”tjetër. Të jem i sinqertë, që ditën kur fitoi në festivalin e TVSH-së dhe u bë përfaqësuese e Shqipërisë, nuk më kishte pëlqyer kënga me vikama e Ronelës, kundrejt një balade të bukur të Alban Ramosajt, që e zuri vendin e dytë. Këndimi eksploziv, haj-huj, haj-huj…, kushedi, i kishte lënë përshtypje jurisë dhe Ronela fitoi, edhe pse nuk dukej se ka këngë, por një ritëm koti. Por, në Eurosong 2022 Ronela, mbase e vetëdijshme se nuk ka këngë, u përpoq ta “pasurojë” prezantimin me lëvizje skenike të tjera,me ato duart e famshme të “zogu”(kërkoj falje nga lexuesit si asnjëherë, që më duet një fjalë ta përmend aq shpesh!) dhe plasi turpi. Jo pse nuk hyri në finale, sepse edhe këngë më të mira nga Shqipëria nuk kanë hyrë disa vite, por pse edhe sikur të kishte hyrë, do të mbahej mend pikërisht për një paraqitje vulgare, për të cilën tash flet e gjithë Shqipëria me gjithë shqiptarinë anembanë. Si asnjëherë më parë, unë po se po, por besoj se një shumicë e madhe shqiptarësh, për herë të parë kanë bërë tifo kundër “faktorit skenik “zog” që e demonstroi në mënyrë eksploziv Ronela Hajati. Debatet që u ndezën pastaj, janë kurora e paraqitjes së turpshme ku nga një vend relativisht tradicional, na doli një Ronelë e guximshme t’i tregojë botës me dorën e saj se ku e ka “zogun”! Dhe gjithë këtë, si pyeti një regjisor, çfarë lidhje ka kjo me artin, çfarë porosie jep?
Që të jem i sinqertë, krahasuar me “zogun” e Ronelës, ai i asaj këngëtares shkupjane ishte arie e vërtetë dhe mund t’i kemi hyrë në hak të shkretës!
- Unë që ditën e paraqitjes së Ronelës, e thashë fjalën time dhe nuk kam çka të shtoj. Ajo që dua të shtoj është diçka tjetër. Shumë kritikues të tjerë të performancës së Ronelës, u kthyen te vetë Festivali I TVSH-së që bëri zgjedhjen në fund të vitit të kaluar,për të gjetur dështimin, duke rikujtuar se kënga që e zuri vendin e dytë, ajo e Alban Ramosajt, do të ishte më dinjitoze. E vërteta është se shumë këngë më të mira se të Ronelës nuk hynë në finale, ndaj mund të kishte dështuar edhe Albani. Kjo flet për relativitetin midis shijes së përzgjedhësve dhe cilësisë së ndonjë kënge, që nuk takohen përherë. Mirëpo, në terrenin shqiptar mund të gjenden njerëz të cilët kapin ndonjë dimension, për ta bërë tërkuzë. Njëri prej tyre, si argument pse nuk paska mundur të fitojë Alban Ramosaj, na qenka se ai është kosovar!
Hajt, çka t’i thuash këtij argumenti?
Kur këtë e thotë anëtari i jurisë së TVSH-së, që nuk është kushdoqoftë, por një poet si Agim DoçI, çështja bëhet edhe më e diskutueshme. E lëmë diskursin e (kuazi)patriotizmit, që këtu është personifikuar me një autor i cili nuk do të duhej të lëshohej në këtë nivel, dhe të përqëndrohemi te anët formale, në grackën e të cilave bie pa vetëdije poeti që votën ia ka dhënë Ronelës dhe jo Albanit.
Alban Ramosaj nuk ka pasur pengesa të fitojë, edhe si kosovar. Përderisa këshilli apo juria përzgjedhëse ia ka pranuar këngën për festival, i ka pasur parasysh të gjitha faktet dhe nuk ka bërë pengesë.
E dyta, s’ka qenë Alban Ramosaj i pari këngëtar shqiptar jashtë Shqipërisë në festivalin e TVSH-së që ka konkurruar për Eurosong. Kosovarja Rona Nishiu mbetet përfaqësuesja me e mire deri tash e Shqipërisë. Këtë duhej ta kishte ditur poeti Agim Doçi.
E treta, autor të ndonjë kënge pjesëmarrëse në këtë festival, madje dhe përfaqësuese të Shqipërisë në Eurosong, kanë qenë autorë joshqiptar (Darko Dimitrov…) dhe nuk është bërë problem. Ka dhe vende të tjera që kanë marrë këngëtarë të huaj që t’i prezantojnë në Eurosong. Një vit flitej se Qiproja i ka ofruar Adrian Gaxhës ta përfaqësojë. Është për të të ardhur keq që një poet i veriut si Agim Doçi, nxjerr argumente me të cilin edhe i ndan shqiptarët sipas krahinave, por dhe tregon mosnjohje të propozicioneve të përzgjedhjes së një kënge përfaqësuese për Eurosong dhe me kriterin e tij të eliminimit, s’ia ka dhënë votën Alban Ramosajt sepse është kosovar. Në vend se ai ta mbronte vendimin e jurisë, mirë a keq, s’do të ishte as i pari as i fundit si rast kur nuk janë të gjithë të kënaqur, ai i jep dimension çfarë nuk duhej, ndaj me të drejtë ishte reagimi i vetë Alban Ramosajt që i dëshmonte se edhe atë kriter e ka plotësuar: ka pasaportë të Shqipërisë!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)