Fikiria, gruaja që dashuroi Ataturku

Mustafa Kemal Ataturk, ashtu si çdo burrë i pashëm ka qenë gjithnjë në vëmendje të femrave. I pasionuar pas leximit dhe shkrimit ai i besoi sekretet e zemrës shpesh në ditar, në të cilin shkruante në frëngjisht. Në të nuk ka shënuar vetëm rrugëtimin e tij politik, por dhe takimet, flirtet dhe ëndërrimet për vështrime që i gjeti në rrugën drejt ndërtimit të Turqisë moderne. Në të tregohet një flirt që pati me një vajzë austriake, e cila ra në dashuri me të, apo të paktën kështu u tha ai më pas shokëve të tij. Për ta dekurajuar, Kemali i tha se kishte një të fejuar në Turqi që e priste. Ajo u mërzit dhe e pyeti se kush ishte e fejuara e tij. Kemali i ishte përgjigjur, ”Vendi im”. Kur ajo e kishte pyetur me çudi se çfarë donte të thoshte, Kemali i tha, ”Unë jam një ushtar. Jam i detyruar që të dua vendin tim dhe të jetoj me të deri në fund të jetës. Por ka qenë një tjetër femër, për të cilën Ataturku nuk i fshehu ndjenjat. Ajo ishte Fikiria. Kemali ishte një njeri që ishte martuar me karrierën e tij ushtarake e politike dhe vendin e tij. Mbi të gjitha ishte si edhe burrat e tjerë, me të cilët shoqërohej, për të cilët femrat kishin një domethënie shumë të vogël dhe ishin thjesht një “mjet” zbavitjeje për kalim kohe si dhe një “ushqim” më tepër për të gjitha kotësitë personale mashkullore.

Në këtë drejtim, ai ishte një ushtar i rreptë dhe i egër, edhe pse nga ana tjetër dinte të tregohej edhe fin në raste të caktuara. Kur dikur e kanë pyetur se cilat janë cilësitë që admironte më shumë tek një femër, ai është përgjigjur, ”Gatishmëria”. Fikiria, pikërisht këtë e përmbushte me cilësinë që ai admironte tek femrat dhe i jepte edhe diçka më shumë se kaq. Për vite me radhë, për shkak të rrethanave, ai ishte kënaqur vetëm me të ashtuquajturat “femra të lehta”, që ishin shoqëruese të zakonshme të garnizoneve ushtarake nëpër zonat e luftës dhe të fushimit. Ardhja e Fikiries i dha atij një mënyrë të rregullt në marrëdhënie, ku afeksioni dhe ndjenja reciproke kishin rolin e tyre të pamohueshëm. Ai e pëlqente shumë Fikirien dhe ishte i mikluar nga dashuria e saj për të. Ajo ishte një femër që i shkonte shumë për shtat në këtë fazë të jetës. Fikria, e zeshkët dhe e shkathët, ishte e zonja që të sillej me mënyra shumë të rafinuara. Ajo ishte pajisur me një inteligjencë të lindur dhe me një shkollim të mjaftueshëm për të kuptuar deri diku idetë e Kemalit. Kishte shumë takt dhe nuk përpiqej kurrë që t’i ndërhynte në punë, por në tryezë, përmes sharmit të saj, kishte dinjitet dhe ishte e vlerësuar. Ajo ishte shumë e sjellshme dhe e këndshme me miqtë e Kemalit dhe ata i çmonin shumë dhuntitë për të qenë një zonjë e mirë shtëpie dhe mikpritëse. Ata mund të pinin në praninë e saj, por ajo e dinte fare mirë se kur ishte momenti që ata duhet të pinin së bashku me Kemalin pijen, në një formë më të rëndë. Fikiria i dha Kemalit, edhe pa lidhjet familjare, atë ndjesinë familjare që ta jep vetëm një martesë. Por Kemali nuk nxitonte që të martohej me të. Nëse ndonjëherë do të martohej, ai do të kërkonte një grua që të kishte vendin e saj përbri tij, si një grua perëndimore. Fikiria, me gjithë të mirat që kishte, ishte dhe mbetej ende një grua lindore dhe do të qëndronte jo përbri, por pas tij, në të gjitha rrethanat. Por Fikiria e re, u bë një figurë shumë familjare për të gjithë banorët e Angorës, pasi udhëtonte shpesh në karrocën e hapur të Kemalit në rrugët e qytetit dhe në kodrat e tij. Asaj i pëlqente gjuetia dhe kalërimi. Madje, Halide, për herë të parë e pa në shpinën e një kali.

“Ishte një femër me një fytyrë shumë të bukur edhe pse në pamje të parë dukej shumë e lodhur dhe e ftohtë. Maja e hundës së saj ishte thuajse mavi dhe buzët e kishin humbur ngjyrën. Kishte një strukturë trupore shumë të brishtë dhe një fytyrë ovale. Sytë i kishte të mëdhenj dhe të zinj, flokët të gjatë e me kaçurrela. Kur më pa, vuri buzën në gaz dhe më pas vazhdoi rrugën, duke marrë me vete edhe atë ndjesinë e trishtimit që mbartët portreti i saj”. Dr. Adnan thoshte se vështrimi i asaj gruaje ishte vështrimi i një gruaje që thellë-thellë, brenda vetes, e dinte mirë se Kemali nuk do të martohej kurrë me të. Në këto rrethana, asaj i duhej që të jetonte vetëm për të tanishmen dhe në këtë moment ai ishte personi që i afronte Kemalit çlodhjen për të qetësuar nervat. Një tjetër metodë, përmes së cilës Kemali kërkonte që të qetësonte nervat, ishte alkooli. Ai kishte pirë lirshëm dhe në sasi të mëdha alkool, gjatë gjithë jetës së tij. Në të ri, kur ishte më pak i sigurt për veten, pinte për të fituar besim dhe për t’u rritur në moshë. Por ndërsa truri i rritej dhe përvoja i shtohej, ai pinte për t’u qetësuar dhe për të humbur mendjen. Natën mendimet ia hiqnin paqen dhe qetësinë. I vërshonin dhe e mbysnin. Edhe ditën e “digjnin”, si të ishin një dinamo. Vetëm në mbrëmje, ai do të pinte për të qetësuar gjithë stresin dhe ngarkesën nervore. Por Kemali nuk pinte se ishte i dobët, por për shkak se i pëlqente alkooli dhe, mbi të gjitha, i duhej. Në lidhje me këtë zakon të tij, ai ishte gjithmonë shumë i sinqertë, duke mos dashur që ta fshihte. Kur të huajt shkruanin për zakonin e tij të të pirit, ai e pohonte me sinqeritet. “Nëse nuk do të shkruani edhe për këtë anë timen, njerëzit nuk do të kuptojnë gjithçka që ka lidhje me mua dhe personin tim”. Kur guvernatori i Smirnës urdhëroi që të uleshin perdet e një lokali në të cilin kishte shkuar për të darkuar me Kemalin, pasi ky kishte pirë shumë, Kemali vetë e kundërshtoi. “Nuk mendoj se është mirë të na shohin që ulim perdet, sepse atëherë njerëzit do të kujtojmë se mos po ftojmë gra që të kërcejnë mbi tryeza. Lëri njerëzit që të shohin se ne thjesht po pimë”.  Por Kemali nuk pinte kur ishte në veprim ose kur situata ishte serioze. Në Erzurum, gjatë kongresit, ai kishte futur në gojë vetëm kafe të zezë. Në shkollën e bujqësisë, kur kërcënoheshin nga ushtritë e Sulltanit, ai nuk kishte vënë gjë në gojë as për të ngrënë, as për të pirë.

Periudha që po kalonte, ishte një periudhë që nuk kishte veprime dhe aksione e si pasojë ishte një periudhë e qëndrueshme. Ky ishte shkaku që ai pinte gjithnjë e më shumë. Ishte një zakon që nuk i bënte nder, veçanërisht tek deputetët konservatorë, të cilët kishin këmbëngulur që një nga veprimet e para që duhet të ndërmerrte Asambleja të ishte miratimi i një ligji kundër importit dhe shitjes së alkoolit.  Konsumi i alkoolit ishte kundër ligjeve të islamit. Ai ishte shkaktar i paralizimit të forcave të armatosura, gjatë luftimeve dhe fushimit, sëmurjen e popullsisë dhe çuarjen e vendit në prag të greminës. Përdorimi i alkoolit dënohej me gjoba shumë të rënda, madje deri edhe me burgosje. Tryeza e pijes kishte qenë gjithmonë për Kemalin një nga vendet e tij të pëlqyera. Tryezat e kafeneve në Selanik, ku zhvilloheshin biseda e diskutime deri në mëngjes, tryezat e rrëmujshme të zyrave të tij, ku flitej veçse për luftë dhe së fundi, tryeza e dhomës së ngrënies në Chankaja në të cilën ai kthehej çdo natë për të zbrazur me kolegët shishet e rakisë. Ndonjëherë, në mesin e pijes, nisnin edhe lojërat me letra, si pokeri, që zgjasnin deri në mëngjes. Me kalimin e kohës, tryezat nisën që të luanin një rol më konstruktiv. Ato u shndërruan në një lloj institucioni kombëtar.

Rreth tyre, siç mund të ndodhte në parlament, apo në qeveri, vendoseshin politika dhe ligje me rëndësi. Tryezat u bënë instrumenti jo i drejtpërdrejtë i Kemalit për të qeverisur. Ato u shndërruan edhe në shkolla në të cilat ai trajnonte më të rinjtë, sipas imazhit dhe modelit të tij. Bëhej fjalë për atë klasë qeverisëse të një vendi, qeveria e të cilit do të ishte për popullin, por nuk do të përbëhej nga populli. Debati zakonisht në këto biseda dhe në këto kohë, rrihte tek parimet e përgjithshme politike, sociale dhe ekonomike, mbi të cilat duhet të bazohej shteti. Nuk ishin të shumtë ata që mund të largoheshin nga tryeza të tilla, por kishte edhe nga ata që nuk e përballonin këtë mënyrë të stërgjatë të piri dhe të diskutuari. Vetëm Ismeti, me të qenit gjithmonë esëll, shihte gjithçka. Por kishte edhe shumë të tjerë që do të donin shumë të ishin të ftuar dhe shndërroheshin çakërqejf kur lutjet e tyre realizoheshin. Por pa përjashtim, për të gjithë pjesëmarrësit në këto tryeza dhe njerëzit jashtë tyre, ushtarakë, intelektualë, apo njerëz të thjeshtë, Kemali mbetej një hero. Falih Rifki shkruante më vonë se, “Të gjitha gjërat që i dinim të vdekura brenda nesh, pak nga pak nisën që të gjallonin dhe të lulëzonin sërish. Pikërisht në ato momente arritëm që të kuptonim sesi vullneti i një njeriu me shumë besim, mund të shndërrohej në gjenerues mrekullish”.