“Shkoni të luani kudo, por jo në Serbi!” Ky mesazh befasues ka ardhur nga Shoqata e Futbollistëve Profesionistë, e quajtur “FIFpro”, që ka shpjeguar se mungesa e korrektësisë me pagesat, ftesa të vazhdueshme për t’u larguar për atë që ngulin këmbë dhe “shkelja e pastër e të drejtave të futbollistëve”, thuhet në komunikatën e “FIFpro” e bëjnë të pamundur aktivizimin me skuadrat e Serbisë. Kjo shoqatë, e njohur në të gjithë botën dhe me zyrë në selinë e FIFA-s, fton futbollistët të mos shkojnë në klubet serbe gjatë merkatos së janarit, duke e cilësuar tekstualisht shtetin serbi si “një ambient sportiv pa asnjë ligj dhe rregull.”
Shoqata që mbron të drejtat e lojtarëve ka zbuluar se 68% e futbollistëve në Serbi i kanë marrë rrogat me vonesë dhe thuajse 90% e tyre ka pasur presione të vazhdueshme nga klubi dhe tifozët për t’u larguar. Situata po përkeqësohet edhe më tej, sipas “FIFpro”, e cila përballet me ankesa të shumta që vijnë nga lojtarë profesionistë në vendin ballkanas. Për më shumë, “FIFpro” thotë se Federata Serbe e Futbollit ka bërë një zyrë për zgjidhjen e konflikteve, e cila drejtohet nga dy persona, të lidhur ngushtë me dy klubet më të mëdha në vend, Partizani i Beogradit dhe Crvena Zvezda. Ka qenë sekretari i përgjithshëm i “Fifpro”, Theo van Seggelen, që ka deklaruar se në Serbi shkelen “brutalisht” të drejtat e futbollistëve profesionistë.
“Kjo është një shkelje e vazhdueshme dhe flagrante e të drejtave të futbollistëve në Serbi. Numri i të pakënaqurve po shtohet sezon pas sezoni, – tha Theo van Seggelen. – E kemi paralajmëruar Federatën Serbe e Futbollit të marra masa të menjëhershme. Nëse situata vazhdon kështu, ne si shoqatë i ftojmë të gjithë futbollistët të mendohen mirë, shumë mirë, para se të shkojnë të luajnë futboll në Serbi.” Ndërkohë, presidenti i Shoqatës të Futbollistëve në Serbi, Mirko Poledica, tha: “Kur firmos me një klub serb, ke 50% të shanseve ta mbyllësh sezonit në një sallë gjyqi duke kërkuar rrogën.”