FIFA ka konfirmuar pranimin e një letre nga një avokat kilian, në të cilin juristi denoncoi një marrëveshje të dyshuar ndërmjet lojtarëve peruanë dhe kolumbianë për kualifikuesen e Kupës së Botës 2018, për t’i dhënë fund lojës në barazimin 1-1. “Ne pranojmë marrjen e korrespondencës tuaj në lidhje me parregullsitë e pretenduara gjatë ndeshjes së kontestuar kualifikuese për Kupën e Botës 2018, mes Perusë dhe Kolumbisë më 10 tetor 2017, përmbajtja e të cilës është analizuar si duhet”, – thuhet në një shënim të shpalosur nga e përditshmja kiliane “El Mercurio”. Letra i drejtohet avokatit Luis Mariano Rendón, i cili javën e kaluar i shkroi FIFA-s për ta vlerësuar “shumë serioz një pakt të qartë” mes lojtarëve kolumbianë dhe peruanë, të cilët, sipas mendimit të tij, “shkelën etikën sportive”.
Spekulimet në lidhje me marrëveshjen e supozuar u ngritën për shkak se në minutat e fundit të ndeshjes, e cila përfundoi 1-1, ishte sulmuesi kolumbian, Radamel Falcao, në bisedë me disa lojtarë peruanë, gjoja duke rënë dakord me rezultatin 1-1, që u përshtatej të dyja skuadrave. Në fakt, rezultati i dha kualifikimin Kolumbisë, ndërsa Peru do të luajë me Zelandën e Re në nëntor, në “play-off”. Shënimi nga organi drejtues i futbollit botëror, i nënshkruar nga sekretari ekzekutiv Wilma Ritter, i vuri në dukje avokatit kilian gatishmërinë për të komunikuar sjelljet që mund të konsiderohen në kundërshtim me rregullat e FIFA-s, për të cilat mund të iniciohet ndonjë procedurë hipotetike disiplinore. Rondon e ka bërë kërkesën privatisht, duke pasur parasysh se “La Roja” e ka humbur kualifikimin në fushë, kur u mund 3-0 nga Brazili, ndeshjen e fundit të kualifikuese të Amerikës së Jugut.