Ndeshja mes Afrikës së Jugut dhe Senegalit do të përsëritet. Dy kombëtaret afrikane do të ndeshen sërish mes vete ndonëse më 12 nëntor ishin përballur dhe Afrika e Jugut kishte triumfuar 2:1. Ky ka qenë vendimi i FIFA-s, që ka arritur në përfundim se gjyqtari kryesor i kësaj sfide, ganezi Joseph Lamptey, tashmë i suspenduar përjetë ka direkt në rezultatin përfundimtar të ndeshjes. Një lajm i bujshëm ky që mund të ndryshojë rrjedhën e kualifikimeve në grup. Afrika e Jugut dhe Senegali bëjnë pjesë në Grupin D kualifikues të konfederatës afrikane, ku diferenca mes ekipit të parë dhe të fundit është vetëm dy pikë. Burkina Faso dhe Kepi i Verdhë kanë nga 6 pikë, Senegali 5 dhe Afrika e Jugut 4. Në ndeshjen e luajtur në stadiumin Peter Mokaba, Lamtey vërshëlleu për një 11-metërsh të paqenë për prekje të topit me dorë nga senegalezi Kulibaly në fund të pjesës së parë. Për çudi të të gjithëve kryesori ganez e drejtoi gishtin nga pika e bardhë. Më pas u zbulua se Lamptey kishte pasion bastet, sidomos ato me shumë gola, ndaj kishte bërë gjithçka që në këtë sfidë të drejtuar nga ai vetë, të shënoheshin të paktën tre gola.