FIFA ka arritur një marrëveshje me të cilën do të ndihmojë futbollistët kur ata nuk paguhen në kohë nga klubet përkatëse. Sipas FIFA, marrëveshja e re do të shërbejë për të paguar lojtarët në kohë dhe nëse kjo nuk ndodh atëherë ata do të jenë të lirë të largohen menjëherë nga klubi ku ndodhet. Ende nuk janë dhënë detaje zyrtare për marrëveshjen mes FIFA dhe “FIF Pro”, shoqata e futbollistëve, por palët bëjnë të ditur që gjithçka do të publikohet në muajin mars, kur të firmosen rregullat e reja.
Victor Montagliani, përfaqësuesi i FIFA-s në këto bisedime, deklaroi: “Ky ishte një shqetësim që për një kohë të gjatë, shumë të gjatë ka shqetësuar anëtarët e botës së futbollit. Ne të gjithë duam të paguhemi për punën që bëjmë dhe kjo është e rëndësishme për futbollistët. Janë të drejtat e punëtorëve që nuk duhen shkelur.” FIFA ka marrë për sipër të paguajë rrogat e prapambetura të lojtarëve sepse ajo do t’ia marrë më pas klubeve. Gjithashtu, futbollistët e papaguar do të jenë të lirë të largohen në çdo moment.