Shkup, 5 shkurt – Organizata, Freedom House, me seli në Shtetet e Bashkuara, thekson në raportin e saj të publikuar të martën se parimet demokratike siç janë integriteti i zgjedhjeve dhe të drejtat e migruesve, po dobësohen për të 13-tin vit me radhë, transmeton Koha.
Sipas organizatës që ka analizuar të dhënat nga 195 vende, 86 syresh, apo 44 për qind, radhiten në mesin e vendeve të lira, 59 apo 30 për qind janë me liri të pjesshme dhe 50 apo 26 për qind radhiten në mesin e vendeve jo të lira.
Në raport theksohet se 68 vende kanë shënuar rënie në fushën e të drejtave politike dhe lirive qytetare, ndërsa vetëm 50 syresh kanë shënuar ngritje.
Raporti i Freedom House, edhe sivjet, e radhit Maqedoninë në mesin e vendeve pjesërisht të lira, së bashku me Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën nga rajoni dhe me Pakistanin, Ukrainën, Kirgizinë, Armeninë e të tjera nga bota.
Te pjesa për rajonin e Ballkanit, raporti i Freedom House tërheq vërejtjen në veçanti për Malin e Zi, ku, siç thuhet, presidenti Millo Gjukanoviq ka vazhduar ta konsolidojë pushtetin shtetëror rreth vetes dhe klikës së tij, duke i shmangur standardet themelore të qeverisjes së mirë dhe duke tejkaluar rolin e tij kushtetues. (koha.mk)