Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut ka prezantuar seleksionuesin e ri të përfaqësueses A, Bllagoja Milevskin. Trajneri që deri tani ishte në udhëheqje të përfaqësueses U21 të Maqedonisë, tani do të jetë në krye të reprezentacionit më të mirë të futbollit në vendin tonë deri në vitin 2024. Milevski do të zëvendësojë Igor Angellovskin që qëndroi në këtë post për plot 5 vite, duke arritur edhe suksesin historik me kualifikimin e Maqedonisë për herë të parë në Kampionatin Evropian.
Trajneri i ri i reprezentacionit A të Maqedonisë, Bllagoja Milevski tha se do të angazhohet në maksimum në punën e tij të re, për gëzime të reja në ekipin kombëtarë.
“Sa i përket angazhimit tim në përfaqësuesen A, do të bashkëpunojë me numër të madh të figurave të njohura. Jam i gëzuar për këtë dhe mezi pres që të nisim me përgatitje.
Objektivi i përbashkët për të gjithë ne është 2024, por për eliminatoret e Botërorit 2022 do të japim gjithçka nga vetja që të kemi eliminatore të suksesshme dhe të jemi konkurrues deri në fund të ciklit. Mendoj që do të ketë ndryshime në listën e futbollistëve, pasi që Pandev, Triçkovski dhe Velkoski shprehën dëshirë që të ndërpresin pjesëmarrjen në përfaqësuesen e Maqedonisë”, deklaroi Bllagoja Milevski. Ndryshe, Milevski është seleksionuesi i 18 që emërohet në historinë e përfaqësueses së Maqedonisë.