Shkup, 28 shkurt – Ende nuk dihet se a do të ketë futboll këtë fundjavë apo të njëjtat do të shtyhen pas paralajmërimeve që u bënë sot nga Ministri i Shëndetësisë Venko Filipce, i cili kërkoi që të gjitha evenimentet sportive të shtyhen nga frika e përhapjes së koronavirusit, njofton gazeta Koha.
Në anën tjetër, komisari pranë Federatës Futbollistike të Maqedonisë së Veriut, Igor Frankovski tha se deri në këto momente nuk kanë marrë asnjë rekomandim nga Qeveria e vendit që të anulohen ndeshjet e javës së 21 në LPFM-së.
“Deri në këtë moment nuk ka asnjë ndryshim. Jemi në pritje të rekomandimeve të Qeverisë së vendit. Nëse prej atje vjen rekomandim që të anulohen gjithë ngjarjet sportive në vend, sigurisht edhe ne si Federatë e futbollit të Maqedonisë do të pranojmë këtë rekomandim dhe do të anulojmë xhiron e fundjavës”, shprehet komisari për gara pranë Federatës së futbollit të Maqedonisë, Igor Frangovski. (koha.mk)