Ka përfunduar Kuvendi i Punës së Federatës së Futbollit të Kosovës. Aty janë miratuar raportet për aktivitetet dhe të arriturat, raporti financiar dhe ai i garave. Është vendosur po ashtu që të ndahet një pagë për familjen e legjendës Fadil Vokrri, që vdiq vitin e shkuar. Edhe pse ishte paralajmëruar se mund të ketë mocion për shkarkim të kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Vetë Ademi ka thënë se është i lumtur që gjithçka shkoi mirë. “Përkundër zhurmave jam i lumtur që gjithçka ka shkuar shumë mirë. Faleminderit të gjithë delegatët për përkrahjen. Do të vazhdojmë me punën tonë me krenari. Puna që është bërë deri më tani u vlerësua nga të gjithë”, ka thënë ai.
Kuvendi i Punës është mbyllur me një minutë duartrokitje për Vokrrin.
Ndërkohë, në raportin e prezantuar thuhet se të hyrat financiare kanë arritur shifrën e 11 milionë e 38 mijë eurove. Të hyrat janë nga FIFA dhe UEFA 88.86 për qind për vitin 2018, të tjerat nga sponsorët, ministria, dënimet e shqiptuara në ligë dhe të drejtat televizive. Të shpenzuara janë 11 milionë e 47 mijë euro.