Sebastian Fettel me Ferrari fitoi dje garën e parë sezonale të Botërorit të Formula 1. Piloti gjerman preu i pari vijën e finishit në garën e zhvilluar mëngjesin e djeshëm në Melburn, të vlefshme për Çmimin e Madh të Australisë. Në podium u ngjitën edhe Luis Hamilton me Mercedes (i dyti), që e nisi garën nga “pole” dhe makina tjetër Ferrari e Kimi Raikkonen (i treti).
Një triumf i merituar i Fettel, që mbrojti fitoren e një vit më parë, duke përfituar edhe nga situata e krijuar në mesin e garës, falë një strategjie të mirë të “kokëkuqes”. Por, makina Mercedes u duk e pakapshme në pjesën e parë të garës, ndërkohë që dy makinat Ferrari përfituan nga momentet e krijuara dhe u ngjitën të dyja në podium. Çelësi i fitores së Fettel ishte xhiro e 25-të, momenti kur në pistë u vendos regjimi i makinës së sigurisë virtuale pas një problemi që kishte makina e Grosejan (Haas), me Hamilton dhe Raikkonen që e kishin kryer ndalesën për të ndërruar gomat. Nga kjo situatë përfitoi piloti gjerman i Ferrarit, që bëri ndalesën e tij dhe doli para rivalëve, pozicion që e ruajti deri në fund edhe pse përpjekjet e Hamilton ishin të mëdha për të rimarrë kreun, por pa sukses. Duel i shumëpritur mes Fettel dhe Hamilton në fakt nuk ndodhi realisht në pistë, me britanikun që mbeti i zhgënjyer në xhirot e fundit, pasi gomat e tij humbën ritmin dhe rrezikohej të parakalohej edhe nga Raikkonen, në një garë konstante. Në vendin e katërt u rendit Daniel Rikiardo me Red Bull e pas tij Fernando Alonso me MekLaren. Në renditjen e “Top 10” të garëss së Australisë u renditën edhe Verstappen (Red Bull), Hulkenberg (Renault), Bottas (Mercedes) dhe Vandoorne (Meklaren).
Për Ferrarin dhe Fettel një fitore e rëndësishme për kampionatin edhe pse është vetëm gara e parë, por kishte që nga viti 2002 që “kokëkuqja” nuk fitonte dy sezone radhazi në garën hapëse të Botërorit. Gara e djeshme konfirmoi se Mercedes është ende superiore në pistë, por Ferrari ka mundësi të përmirësohet duke qenë se ka liderin e Botërorit, të cilit i nevojitet një makinë më e shpejtë. Gara e radhës, pas dy javësh në Bahrein.