Fetel i shpëton penalizimit, do të jetë në Brazil

Piloti gjerman i Ferarit, Sebastian Fetel do të jetë rregullisht pas dy javësh në garën e çmimit të madh të Brazilit, duke i shpëtuar një dënimi nga ana e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA). Kjo e fundit ka vendosur ta falë 4 herë kampionin e botës, pas sharjeve që Fetel bëri përmes radios gjatë garës së fundit në Meksikë në adresë të Çarlie Uajtin, drejtorit të garave. Duket se ndjesa që piloti gjerman bëri menjëherë pas garës ka ndikuar në vendimin e FIA-s, që në një deklaratë për mediat u shpreh: “Duke marrë në konsideratë fjalët e pilotit pas garës, që kërkoi ndjesë për sharjet, presidenti i FIA vendosi që të mos japë asnjë dënim disiplinor në adresë të Sebastian Fetel”. Fetel shau rëndë drejtorin e garave të FIA, Çarlie Uajting, pas incidentit të dyfishtë që ai pati në xhirot e fundit me dy pilotët e Red Bull, fillimisht me Maks Verstapen dhe më pas me Daniel Rikiardo. Belgu i ra shkurt pistës dhe nuk i lëshoi më pas vendin, duke sjellë edhe irritimin e Fetel, që më pas nuk i hapi rrugë Rikiardo. Për këto incidente, komisarët e garës dënuar me 5 sekondat Verstapen dhe 10 sekonda Fetel, që humbën podiumin. Por në xhirot e fundit, piloti gjerman i “kokëkuqes” shau përmes komunikimit në radio drejtuesit e FIA, duke u thënë “ik pirdhuni”. Në rast se kjo situatë përsëritet, ndaj Fetel do të merren masa të rënda disiplinore.