Tiranë, 23 maj – Profesor Milaim Fetai dhe bashkëshortja e tij Ajla Fetai, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes u nderuan me titullin “Ambasadorë të Paqes”. Ky çmim ju dha nga Federata e Paqes Universale në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, ndërsa krahas tyre, çmimin e morën dhe disa personalitete të artit dhe jetës publik, mes të cilëve autori i njohur Bujar Asqeriu dhe zonja Eni Çobani. Pjese e rëndësishme e aktivitetit ishte edhe perfomanca artistike e shkollës së fëmijëve me probleme në të pamurit.
Në fjalën përshëndetëse pas marrjes se çmimit, profesor Fetai tha se “shoqëria post-moderne, duket sikur ka shtuar sfidat për njerëzimin! Ata që trajtojnë këto sfida, tentojnë për zgjidhje në media, por duket se kanë lënë mënjanë disa zgjidhje të vogla që mund të jenë çelësi i zgjidhjes, në mos zgjidhja vet”.
“Unë po përmend dy nga këto zgjidhje të vogla që i gjej të dyja në filozofinë e Federatës së Familjes. Njëra është pikërisht ruajtja e familjes. Sigurisht ruajtja e bërthamës së familjes, por edhe aspekti vertikal i saj. Pra, dashuria të mos ndalojë tek prindërit, por të shkojë edhe për gjyshërit, edhe për hallën, edhe për tezen, apo dajën. Së dyti, edukimi që e çon motivin e jetës nga shpirtërorja dhe e braktis materialen! Të dyja këto baza mua më bëjnë që të pranoj e të ndihem i nderuar për titullin e Ambasadorit të Paqes! Faleminderit propozuesit, zotin Memia dhe faleminderit edhe atyre që pranuan këtë propozim”, tha në fjalimin e tij, profesor Fetai.
Është hera e dytë që profesor Fetai vlerësohet me çmim në Shqipëri, pas çmimin të “Imazhit Kombëtar” pak kohë më parë, për shkak të kontributit qytetar, shoqëror dhe intelektual të tij.