Prokuroria Speciale i kërkoi gjykatëses Dobrilla Kacarska që ta shpallë ish-ministren e Brendshme Gordana Jankullovska fajtore për blerjen e Mercedesit 600 mijë eurosh për të kënaqur apetitet e ish kryeministrit Nikolla Gruevski. Siç tha prokurorja e PSP-së, Fatime Fetai, gjatë dhënies së fjalëve përfundimtare, Jankullovska ka keqpërdorur pozitën e ministres për të blerë mercedesin luksoz, në periudhë kur buxheti i MPB-së ishte i pamjaftueshëm edhe për mbulimin e harxhimeve të rregullta të policisë.
“Jankullovska e ka blerë mercedesin me vetëdije, duke favorizuar kompaninë Mak Autostar për blerjen. Blerjen e ka bërë me dëshirën e ish kryeministrit. Kërkojmë që e akuzuara të shpallet fajtore duke marrë parasysh edhe rrethanat lehtësuese por edhe ato rënduese. Jankullovska së bashku me Gjoko Popovskin dhe Nikolla Gruevskin duhet të paguajnë edhe 313 mijë denarë, harxhime për gjykimin”. Ky rast tashmë ka një epilog të mëhershëm. Ish kryeministri Nikolla Gruevski u dënua me dy vite burg, ndërsa ish ndihmës ministri i brendshëm Gjoko Popovski me gjashtë vjet burg. Por vetëm Popovski po mban burgun, ndërsa Gruevskit po i vazhdon procesi i ankesave në Gjykatën e Apelit. /SHENJA