Si momenti më i veçantë i mbrëmjes ishte fakti se pikërisht me dy shtator të vitit 1927, Didar Qazim ka mbajtur koncertin e saj të parë në Shkup, e mbrëmja e së premtes shënoi pikërisht një homazh ndaj jetës dhe veprës së saj, që u realizua edhe me ndarje të mirënjohjeve nga ana e komunës së Çairit dhe Sh.K.Sh.M. “Kultura Shqiptare”, nderime të cilat i pranoi e bija, znj. Meral Yapali
Nga Nora BAJRAMI, muzikologe
Mbrëmjen e së premtes, më 02.09.2022, në sallën e muzeut të luftës maqedonase, në Shkup, u mbajt koncert në kujtim të violinistes shkupjane Didar Qazim. Kjo mbrëmje, nën organizimin e shoqatës Muza, dhe në kuadër të festivalit “Skupi kamerfest”, theks të veçantë i dha rrëfimit të vajzës së Didar Qazim – znj. Meral Yapali, i cili përmbante informacione për jetën dhe zhvillimin profesional të Didar Qazim.
Nga bisedat me znj. Meral Yapali – pianiste dhe profesoreshë në Konzervatoriumin e Stambollit, mund të kuptojmë se jeta e saj ka kaluar nëpër shumë ndryshime kozmopolite të kohës.
Didar Qazim është e lindur në vitin 1910, në Shkup. Ajo u rrit si fëmijë i vetëm në një familje e cila për atë kohë ishte shumë e hapur në aspektin e shkollimit të vajzave. Edukimin e saj e fillon në shkollën e ulët franceze për vajza në Shkup, me iniciativë të nënës së saj, Nafijes (e cila sipas kujtimeve të znj. Meral Yapali, fliste shqip dhe për të cilën mendon që ishte shqiptare, ajo thotë që ishte një grua e arsimuar dhe lexonte shumë). Paralelisht me këtë, nëna e saj insiston që ajo të marrë edhe mësime private në violinë. Babai i saj, Qazimi, i cili sipas znj. Meral Yapali, punonte si rotarian, fliste disa gjuhë, ndër të tjera edhe atë frënge. Ajo gjithashtu thotë se gjyshi i saj ishte person që e vlerësonte shkollimin, edukimin dhe e përkrahu nënën e saj, Didar Qazim gjithmonë.
Me përparësitë që i ofroi njohja e gjuhës frënge, po edhe aftësitë e shkëlqyeshme që tregoi me përparimin nga ana teknike në violinë, por edhe me rekomandim të mësuesit të saj të violinës këtu në Shkup (emrin e të cilit për fat të keq znj. Meral nuk e kujton dot), Didar Qazim i vazhdon studimet në Schola Cantorum në Paris, e mandej edhe në Berlin – me çka na ofrohet një pasqyrë shumë më e pastërt për nivelin akademik të vajzave shkupjane të asaj kohe. Didar Qazim përveç të tjerave fliste rrjedhshëm edhe disa gjuhë të tjera, si serbo-kroatisht, gjermanisht dhe turqisht. Përparësi këto të cilat me kthimin e saj në Shkup, i ofrojnë asaj një pozicion shumë të ngritur në shoqëri, për arsye se e ftonin edhe në rolin e përkthyeses në shumë ngjarje, sepse si qytet i vogël në atë periudhë ishte e vështirë të gjendeshin persona që flisnin aq shumë gjuhë.
Kthimi i saj në Shkup korrespondon me hapjen e shkollës së mesme të muzikës, si institucion arsimor i parë i atij lloji në atë periudhë – ku Didar Qazim punësohet si një ndër mësimdhënëset e para të violinës, bashkë me emrat e tjerë të njohur në zhvillimin e muzikës dhe kulturës maqedonase si: Trajko Prokopiev, Nada Organxhieva, Petre Bogdanov dhe të tjerë. Nga biseda me vajzën e saj, pianisten Meral Yapali, kuptojmë se në klasën e saj të violinës ishte dhe kompozitori dhe profesori i njohur Toma Proshev.
Didar Qazim apo Didar Ali, mbiemrin të cilin e merr pas martesës me të cilin e hasim edhe në monografinë e shkollës së mesme të muzikës (Qendra shkollore e muzikës dhe baletit – Shkup, 1945-1995), por edhe në shkrime të asaj periudhe nga Todor Skallovski, të publikuara në gazeta, e që lidhen me zhvillimin e shkollës së muzikës. Pikërisht në këtë periudhë, kur jeta e saj artistike në Shkup ishte në kulmin e saj, bashkëshorti i saj, Aliu, i cili posedonte një shtypshkronjë dhe merrej edhe me botimin e Kur’anit fisnik, për arsye politike të kohës nën akuzën e spiunimit e burgosin dhe ekzekutohet nga ana e UDB-së (znj. Meral thotë se babai i saj ende nuk e ka një varr ku të prehet i qetë). Policia sekrete e ish-Jugosllavisë e burgos edhe Didar Qazim, për një vit e gjysmë, me idenë që ajo po e ndihmonte bashkëshortin.
Me daljen nga burgu i ndalohet vazhdimi i profesionit te mësimdhënies, por i lejohet punësimi në orkestrën simfonike (apo e njohur ndryshe në atë kohë edhe me emrat si orkestra simfonike e Radio Shkupit, dhe filarmonia e Shkupit) e cila gjithashtu në atë periudhë ishte në hapat e parë të formimit të saj, por zhvillohet me ardhjen e dirigjentit të njohur, Lovro von Matačić – me të cilin bashkëpunon për një periudhë edhe Didar Qazim.
Jeta e saj artistike në Shkup ndërpritet me konfiskimin e pronave dhe shtëpisë së saj, dhe për arsye politike e mbijetese detyrohet të shpërngulet në Stamboll të Turqisë, atje karriera e saj si violiniste vazhdon në sferën e mësimdhënies.
Didar Qazim, një violiniste e lindur dhe e rritur në Shkup, jeta dhe rrugëtimi profesional i të cilës mundësoi hedhjen e hapave fillestar në formimin e edukimit muzikor të shumë nxënësve në Shkup, të cilët tutje do e ngritin atë në nivelet kulminante. Poashtu i rëndësishëm ishte edhe roli i saj në orkestrën simfonike e cila i paraprinë orkestrës së sotshme të Filarmonisë. Ajo mbetet një figurë shembullore kur flasim për emancipimin dhe edukimin e gruas në dekadat e para të shekullit të kaluar.
Mbrëmja e së premtes, solli para publikut shkupjan koncertin e parë të edicionit të pestë të festivalit “Skupi kamerfest”. Në koncertin “In memory of Didar Kazim“, morën pjesë pianistet Tutu Aydinoğlu dhe Nita Grubi. Koncertit i parapriu fjala hyrëse e drejtorit artistik të festivalit, prof. Blerim Grubi i cili ndau iden e tij të kahmotshme për realizimin e kësaj ngjarje dhe rikthimin e violinistes Didar Qazim përsëri në Shkup. Në fokusin e mbrëmjes ishte rrëfimi i znj. Meral Yapali – ajo mes emocioneve të përziera dhe kujtimeve të trishta, ndau me publikun shkupjan historinë e nënës së saj, por edhe të gjithë familjes e pjesërisht edhe të sajën. Duhet të theksohet që edhe pse u shpërngulën në Stamboll, znj. Meral Yapali i ruajti lidhjet e saj me Shkupin, dhe vazhdoi bashkëpunimet me artistët maqedonas.
Si momenti më i veçantë i mbrëmjes ishte fakti se pikërisht me dy shtator të vitit 1927, Didar Qazim ka mbajtur koncertin e saj të parë në Shkup, e mbrëmja e së premtes shënoi pikërisht një homazh ndaj jetës dhe veprës së saj, që u realizua edhe me ndarje të mirënjohjeve nga ana e komunës së Çairit dhe Sh.K.Sh.M. “Kultura Shqiptare”, nderime të cilat i pranoi e bija, znj. Meral Yapali.
Ngjarje të tilla kulturore, njëkohësisht edhe rikthime të personaliteteve të tilla që janë të lidhur me vendin tonë dhe kanë lënë gjurmë në shoqërinë tonë meritojnë vëmendje dhe përkushtim e hulumtim më të detajuar, gjithmonë me qasje pozitive dhe parimin që historia të mos humbet. (koha.mk)