Drejtori Ylber Nuredini sqaron se edhe në Programin e sivjetshëm për realizmin e projekteve me interes nacional në kulturë, Ministria e Kulturës akordoi një shumë disa herë më të vogël nga ajo që marrin festivalet e kësaj kategorie
Evis HALILI
Shkup, 5 tetor – Me koreodramën “Kumt” kushtuar heroit kombëtar Gjergj Kastrioti nga Asambli i Këngëve dhe Valleve Prishtina – Shota do të çelet të premten në mbrëmje në Dibër edicioni i 17-të i Festivalit “Teatrit Shqiptar në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA. Manifestimi tradicional që do të zhvillohet nga datat 5 deri më 11 tetor, do të ngjisë në skenë gjashtë shfaqje nga teatro shqiptarë brenda dhe jashtë vendit.
Teatri i Tetovës me “Volpone” (Ben Jonson/Stefan Cvajg) me regji nga Sulejman Rushiti, Teatri i Preshevës me shfaqjen “Skicuesi” me regji nga Afeida Boriçi, Teatri Zihni Sako nga Gjirokastra me pjesën “Një krevat për tre” me regji të Vasil Cukllës, Fakulteti i Artit Dramatik (USHT) me pjesën “Ëndrra e shtatë studentëve”, Teatri i Gjilanit me “I vetëm në banesë” me regji nga Natyra Kallaba, si edhe Teatri Shqiptar i Shkupit me shfaqjen “Gratë” të Qëndrim Rijanit. Gjatë netëve të festivalit, pas përfundimit të shfaqjeve do të zhvillohen edhe diskutime mbi teatrin nga aktorë, kritikë e artistë të ftuar nga Shqipëria e Kosova. Në programin e këtij viti organizatorët kanë sjellë si risi shfaqjen e koreodramës “Kumt” dhe interpretimin e një ansambli të këngëve dhe valleve, në nder të Vitit të Gjergjit dhe manifestimeve mbarëshqiptare kushtuar heroit kombëtar.
Edhe këtë vit edicioni i17-të i një prej festivaleve më me renome në Maqedoni do të zhvillohet me fond të reduktuar në maksimum, pa sponsor gjeneral dhe me mbështetje financiare prej 600 mijë denarësh nga Ministria e Kulturës, Qendra e Kulturës së qytetit, si edhe disa sponsorë të tjerë privatë. Drejtori Ylber Nuredini sqaron se edhe në Programin e sivjetshëm për realizmin e projekteve me interes nacional në kulturë, Ministria e Kulturës akordoi një shumë disa herë më të vogël nga ajo që marrin festivalet e kësaj kategorie, që variojnë nga 200 mijë e deri në 4 milionë denarë.
Për shembull, Festivali i Teatrit në Tetovë, që nis pas disa ditësh, këtë vit financohet me 2 milionë denarë, “Vojdan Çernodrniski” në Prilep me tre milionë denarë, Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Shkup me 4,5 milionë denarë, Festivali i Komedisë në Kumanovë me 800 mijë denarë, Festivali i Monodranës në Manastir me 400 mijë denarë, e të tjera. Nuredini thotë se Festivali i Dibrës është një prej manifestimeve tradicionale dhe më serioze në vend, që duhet përkrahur si për artin që promovon, por edhe për publikun e veçantë që ka.
Problemet financiare kanë vënë në pikëpyetje, sidomos vitet e fundit zhvillimin e këtij manifestimi.
Nëse në vitin 2016 me protesta dhe grevë urie u arrit që komuna të akordonte një fond për festivalin, vitin e kaluar për shkak të problemeve financiare festivali u mbyll disa ditë përpara përfundimit. Sesi ka ardhur deri në këtë zgrip financiar mund të shihet edhe tek shpërblimet për çmimet që ndan ky festival, të cilat nëse në edicionet e para kanë arritur deri në 1500 euro, vitet e fundit nuk i kalojnë 150 eurot. (koha.mk)