Shkup, 24 korrik – Shoqata e bletarëve “Qyteti i bletëve” nga Tetova , më datë 28 dhe 29 korrik, 2018, në bashkëpunim me Komunën e Tetovës, organizon Festivalin e mjaltit nën moton “Ditët e ëmbla të Tetovës”.
Festivali i mjaltit “Ditët e ëmbla të Tetovës” – është projektuar për të promovuar kapacitetin që ka Pollogu për produktet mjaltit, traditën, risitë dhe inovacionin në fushën e prodhimit e përpunimit të mjaltit dhe nus produktet e tij. Në festival do të marrin pjesë profesorë nga Bosnja, Shqipëria, Kosova të cilët do të mbajnë ligjërata rreth bletnimit, ndërsa vizitorë presim një numër të madh bletarësh nga Maqedonia dhe shtetet përrreth. Ky festival, i pari i këtij lloji në Tetovë, mëton të bëhet tradicional Jetojmë në një periudhë, në të cilën sektori i bletarisë më shumë se kurrë më parë tërhiqet nga dy prirje në dukje në kah të kundërt. Nga njëra anë teknologjizimi e industrializimi, në kërkim të rritjes së prodhimit por pa kualitet dhe nga ana tjetër tërheqja e fuqishme drejt produkteve natyrale e tradicionale të prodhimit të mjaltit që është karakteristikë e bletërritësve të Pollogut. Festivali i mjaltit “Ditët e ëmbla të Tetovës”, planifikohet në mbahet 2 ditë. Festivali ka për qëllim që të bëhet tradicional . Në kuadër të festivalit do të ketë edhe:
BEE SHOW
“Ditët e ëmbla të Tetovës ” do të jenë një ekspozitë e vërtet me produkte të mjaltit të të gjitha formave që bletarët do ti ekspozojnë, ndërsa të gjithë vizitorët përveç që do të mund ti diskutojnë produktet e mjaltit do të mund të informohen rreth bletës, mjaltit, polenit, propolisit, polenit dhe nus produktet e tij.
Përveç kësaj, bletarët do të mund të blejnë edhe mjete të ndryshme të bletarisë të cilat kompanitë që merren dhe prodhimin dhe tregtimin e tyre do të ekspozojnë paletën e gjerë të produkteve të veta.
Në anën tjetër, shumë institucione dhe organizata vendore e ndërkombëtare do të kenë info/tezgat e tyre që do të informojnë bletarët për subvencionimin, ndihmën financiare, programet zhvillimore që ofrojnë për zhvillimin e këtij sektori shumë domethënës për natyrën e njeriun.
BEE ART SHOW
Arti paraqet një pasqyrim estetik të realitetit që na rrethon, por edhe imagjinatës së bujshme njerëzore, por njëkohësisht jep mesazhe të forta tek qytetari, dhe atë mu në shpirt, pa shumë fjalë, për dukuritë që na rrethojnë.
Dhe këtë mesazh sublim, duam ta dërgojmë nëpërmes “BEE ART SHOË”, por kësaj radhe në një fushë specifike atë të botës së bletës. Janë mijëra pyetje që për çdo ditë po bëhet nga njerëzit si : Çfarë është bleta?, Si punon?, Lidhja e saj e ngushtë me natyrën?, Kontributi i saj në pllenimin e frytit?, A paraqet bleta shpëtimtarin e njeriut?, etj , etj…
Të gjitha këto pyetje-përgjigje do të mundohemi ti shprehim nëpërmes artit ku BEE ART SHOË – do të jep një ekspozitë “Live” në kohën kur do të mbahet Festivali i mjaltit, ku në kosheret e përgatitura nga Shoqata/ organizatori, artistët e kyçur në projekt nëpërmes vijave dhe ngjyrave aty përpara publikut do të prodhojnë veprat e tyre me mesazhe konkrete. Në këtë pjesë do të kyçen edhe fëmijët të cilët me imagjinatën e tyre do të na mësojnë shumëçka për bletën, sidomos atë që të rriturit shpesh e neglizhojnë.
BEE FRENDLY GARDEN
Studiuesit kanë vërtetuar se mbjellja e kopshteve miqësore të bimëve që i duan bletët në komunën ku jetojmë mund të rrisë diversitetin e bletëve, madje edhe brenda zonave urbane të ngarkuara me beton në të cilat shumë prej nesh banojnë.
Prandaj në parkun e rezervuar nga Komuna e Tetovës, ditën e parë të Festivalit, pjesëmarrësit dhe bletarët të mbjellin bimë miqësore të bletës në parkun e titulluar “BEE FRENDLY GARDEN”, i cili njëkohësisht do të jetë parku i parë në Maqedoni me këtë emër i cili do të mbillet me qëllim sensibilizimi.
Ky eveniment, do të hapë dritare shumë dimesionale edhe atë: do të rrisë gjelbërimin brenda territorit të komunës, do të jetë një pikëfillim ku jo vetëm brenda hapësirave publike por edhe në kopshtet private dhe ballkonet e qytetarëve të fillohet të mbillet bimë që janë miqësore me bletët.
LEARNING BEE
Gjatë dy ditëve të Festivalit, na presin shumë ligjërata të rëndësishme dhe interesante rreth bletës dhe mënyrën e trajtimit të saj. Profesorë universitar si dhe bletarë profesionist nga Maqedonia, Shqipëria, Kosova dhe Bosnja dijen e tyre nëpër mes ligjëratave do të mundohen ta transmetojnë tek të gjithë të interesuarit.
Qëllimi i këtyre ligjëratave do të jetë vetëdijesimi dhe aftësimi i bletarëve në lëmin e bletarisë.