Shkodër, 2 qershor – Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë edhe sivjet ka mbushur plot e përplot me shqiptarë qendrën e qytetit të Shkodrës, aty te Shatërvani i njohur para objektit të Komunës, shkruan gazeta KOHA. Festivali i njohur tashmë ka sjellë edicionin e tij të 55-të në datat 1, 2 dhe 3 qershor, ndërsa në skenën e madhe janë ngjitur plot artistë të vegjël, shumë muzikë, emocione të reja e kujtime të ëmbla në një festë për fëmijë. Organizuar nga Bashkia e Qytetit, Drejtoria Arsimore Rajonale, Qendra Kulturore e Fëmijëve, Shoqata “Shpirti Artistik i Shkodrës”, Radio Televizioni Shqiptar, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë këtë vit ka selektuar 21 këngë dhe 21 fëmijë nga e gjithë Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Sonte zhvillohet nata e dytë e Festivalit, ndërsa këngëtarët e vegjël do të perfomojnë live, ashtu sikurse mbrëmë, në natën e parë të Festivalit. Nata finale do të zhvillohet nesër mbrëma, ndërsa nga Maqedonia marrin pjesë dy këngëtare, ndërsa po aq edhe nga Kosova. Pjesëmarrës ka edhe nga Mali i Zi, si dhe nga shumë qytete tjera nga Shqipëria. Transmetimin e natës finale mund ta ndiqni të dielën mbrëma në RTSH.
Krijuar në maj të vitit 1963, ky festival nuk i ka munguar asnjë vit fëmijëve, duke sjellë krijimet më të mira të autorëve më me emër të muzikës e teksteve të këngëve, duke zbuluar talente të cilët në vitet që pasojnë kanë shkëlqyer në skenat muzikore brenda e jashtë vendit. Përveç pasurimit të jetës kulturore të fëmijëve e fondit të këngëve për këtë grupmoshë, festivali ka shërbyer e vijon të japë kontribut të rëndësishëm në zbulimin e lançimin e talenteve të reja, si dhe në edukimin e shijeve e kulturimin e fëmijëve. Prej vitit 1993, ky festival u kthye në mbarëkombëtar, duke u bërë e para dhe më e rëndësishmja skenë, ku fëmijët nga gjithë trevat shqipfolëse këndojnë e garojnë bashkë.
Ndryshe, mes emocionesh dhe duartrokitjesh, dirigjenti Kujtim Alia, njëherësh drejtor i Festivalit, pranoi çmimin e lartë “Mjeshtër i Madh”,i akorduar nga Presidenti i Republikes së Shqipërisë, Bujar Nishani, ndërsa çmimi iu dorëzua në natën e parë të këtij edicioni nga Florian Nuri, sekretar i Përgjithshëm i Presidencës me rastin e 35 vjetorit të punës së drejtorit Alia. (koha.mk)