Javë më parë, pikërisht më 28 nëntor u mbajt festivali mbarëkombëtar i këngës për fëmijë në Kërçovë “Dita jonë” që sivjet erdhi në edicionin e katërt, por ndryshe nga vitet e kaluara, jo më datën 1 qershor për ditën ndërkombëtare të fëmijëve, por me 28 nëntor – me rastin e festës kombëtare të shtetit dhe flamurit shqiptar. Drejtori i këtij festivali, artisti Shkodran Tolaj i pyetur se përse pikërisht kjo datë, u shpreh “rrethanat e shtyrjes së Festivalit fillimisht ishin të imponuara për shkak të situatës politike në vend, andaj e pashë të arsyeshme që këtë edicion ta riformatoj, të ketë koncept të veçantë dhe të vjen si edicion special ku të gjitha krijimet e reja ishin në frymë atdhedashurie”. Fatkeqësisht, tha Tolaj, kemi shumë pak krijime ose autorë që shkruajnë në këtë frymë, sepse është bërë e modës që të këndojmë për gjithçka dhe dosido, përveç për vendin tonë.
“Obligim ynë si drejtues të evenimenteve kulturore po dhe edukative është vënia e disa kritereve përveç profesionale edhe skenike, kështu që Festivali Dita jonë jo vetëm sivjet, por çdo vit me radhë përveç kriterit të rreptë profesional në përzgjedhje të teksteve, këngëve, produksioneve, interpretatorëve, ka dhe kodin e veshjes dhe paraqitjes skenike në mënyrë që çdo paraqitje të përkojë me botën e fëmijëve duke krijuar kështu modele të duhura në skenë”, është shprehur Tolaj. “Dita jonë” 2017 solli 16 krijime të reja të autorëve të njohur si Zef Çoba, Naim Gjoshi, Jetmi Mehmedi, Aleksandër Vezuli, Ylli Kalaja, Jetmir Mehmeti, Riza Dolaku, Qamil Aliu, orkestruesve Ardian Kastrati,Alfred Kacinari, Hysni Klinaku, Burim Krasniqi, tekstshkruesve Mentor Thaqi, Suela Tukaj, Aulon Kalaja, të cilët përbënin gjeografinë e plotë Kosovë-Shqipëri-Maqedoni. Salla e Pallatit të Kulturës më 28 nëntor reflektonte shumë kulturë, skenografi të punuar më përkushtim, videoincizime të shfaqura në ekran që vetëm sa shtonin emocionet në sallë, efekte ndriçimi dhe foni profesionale që të bënte të kuptosh se flitet për një spektakël të vërtetë andaj jo rastësisht ky festival është vlerësuar nga kritika muzikore si një nga më të mirët në trevat tona. Kërçova në klimën e fitores shqiptare në komunë, për herë të dytë e ndjente këtë festival i cili fundja – i dedikohej fitoreve dhe festave tona kombëtare megjithëse tashmë “Dita jonë” ka krijuar publikun e vet që çdo vit stërmbush sallën e Pallatit të Kulturës.
Të veçanta gjatë spektaklit ishin përshëndetjet e artistit Mirush Kabashi, kompozitorit nga Shkodra, Bardhyl Hysa dhe zëvendësministrit për Kulturë në Shqipëri, Zef Çuni, të cilët vlerësuan lartë punën e mrekullueshme që po bëhet në Kërçovë dhe që po jep shembull për të gjitha vendet tjera. Mbajtja e një festivali të tillë me sukses pikërisht më 28 nëntor në qytetin e Kërçovës ishte dhurata më e mirë për qytetin dhe artin shqiptar në përgjithësi. Se a do mbahet tutje ky festival më 28 nëntor apo do rikthehet më 1 qershor, mbetet të shihet. “Dita jonë” si eveniment serioz dhe shumë profesional meriton një mbështetje akoma më të madhe nga Ministria e Kulturës e cila çdo vit e ka mbështetur në mënyrë modeste si shumë festivale të tjera për fëmijë. Për Komunën e Kërçovës, “Dita jonë” paraqet padiskutiim evenimentin më të rëndësishëm artistik si nga përmasat ashtu edhe për nga niveli profesional që është ngritur me shumë punë dhe përkushtim e që tashmë ka krijuar imazhin e vet dhe ka jehonë mbarëkombëtare.