I ri, i pashëm dhe me shumë vullnet e bën punën e tij. Djaloshi nga Tetova ka disa vite që merret me fitnes e që tashmë ka filluar të punojë dhe si trajner në këtë fushë. Festim Selmani, vjen në një rrëfim për InfraRed të gazetës KOHA duke treguar kështu këshilla për rininë se si duhet mbajtur trupi në formë, kujdesi ndaj ushqimit dhe rregullimi i një fiziku që secili do e kishte dëshiruar
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: E dimë se ushtrimet fizike janë të ndara në dy grupe: me peshë të trupit dhe me peshëngritje (tega), a mund të na tregoni cila nga këto është më efektive?
Edhe me pesha të trupit edhe me pajisje të fitnesit ose tega të dy llojet e kanë rëndësinë e vet dhe efektin, varet prej individit se çfarë synimi ka me peshë të trupit zakonisht ushtrojnë sportistët, bokserat, kickbokserat etj, ndërsa me pajisje fitnesi ushtrojnë njerëzit që duan të humbin peshë dhe të jenë të shëndetshëm fizikisht.
KOHA: A do të thotë se për ndërtim më të shpejtë të muskujve dhe definim të tyre, është më mirë të ushtrohet me peshë trupore?
Definimi i muskujve bëhet me dietë të shëndetshme ushqim të shëndetshëm dhe kardio, mirëpo një fillestarë nuk mund të fillojë stërvitjet menjëherë me peshë trupore pasi i duhet një përgaditje më e gjatë që të ushtrojë.
KOHA: Kemi dëgjuar shprehjen se muskujt e barkut ndërtohen në kuzhinë e jo në palestër, a mund të na tregoni si trajner fitnesi profesionist, sa e vërtetë është kjo thënie?
Kjo është shumë e vërtetë, pa një dietë dhe ushqim të shëndetshëm nuk mund të kemi muskuj të barkut, baza e një trupi të ndërtuar është ushqimi.
KOHA: Jemi ende në stinës së verës, ndërsa po rritet dhe dëshira për të ndërtuar një trup të bukur dhe me muskuj brenda kësaj periudhe të shkurtër, a është e mundur për fillestarët?
Gjithçka është e mundur për 3 apo 4 muaj të kemi muskuj barku, por duhet të kemi një disiplinë dhe brenda kësaj periudhe mund të kemi muskuj të barkut mirëpo varet dhe prej peshës së individit sepse nëse është mbipeshë normal që shkon kohë më e gjatë.
KOHA: Çfarë ushtrimesh apo ushqimesh do t’u këshillonit personave të cilët duan trup të definuar? Cila është më e preferueshme gjatë ushtrimeve fizike: uji apo lëngjet e ndryshme?
Ushtrimet duhet të ndahen në grupe të caktuara si dhe kardio pas ushtrimeve, gjatë fitnesit është e domosdoshme të konsumohet ujë.
KOHA: Duke marrë parasysh se jeni shumë aktiv edhe online dhe të hapur për personat të cilët kërkojnë këshilla rreth kësaj fushe, sipas eksperiencës me këta persona, a mund të na tregoni cili është gabimi më i shpeshtë që bëhet nga fillestarët?
Gabimi më i shpeshtë te fillestarët është se fillojnë me pesha të rënda e vinë deri te lëndimet, janë euforik pastaj bezdisen shpejtë nga fitnesi.
KOHA: A mund të bëhet shkrirja e yndyrës apo humbja e peshës edhe pa inkuadrimin e makinave kardiovaskulare në program?
Mund të shkrihet yndyra edhe pa kardio, por procesi është shumë i ngadalshëm, gjithashtu ushtrimet kardio ndihmojnë më shumë gjëra tjera jo vetëm në shkrirjen e yndyrës.