Ironia edhe më e madhe është se drejtuesit e qyteteve tona, të afërmit e tyre, ikin dhe gëzojnë me gjasë diku tjetër dhe i lënë njerëzit me zymtësinë e vitit të ikur me përplot halle. Dhe pa asnjë xixë shprese. Fundviti përherë krijon një moment reflektimi personal e shoqëror, se çfarë është arritur dhe një moment projeksioni për të ardhmen
Nga Nazim RASHIDI
Kur hap çdo mëngjes Facebook-un të kthen në kohë duke të rikujtuar statuse që ke shkruar apo dhe fotografi. Kështu më ndodhi edhe mua. Më risolli ky rrjet social një thënie të cilën e kisha shkruar një vit më parë, por që vlen edhe këtë vit: Shoh foto nga qytete shqiptare në rajon, të zbukuruara dhe me hare. Këto qytetet tona në Maqedoni si kur na përzënë me qëllim dhe sikur duan me çdo kusht të ndahen nga gëzimi i përbashkët! Dhe as e si të kuptohet se pse këto qytete nuk sjellin asnjë gëzim për qytetarët e tyre. Kur këta qytetarë mbushin qytetet e tjera duke i vizituar!!! Argumentet se kursehet, apo se paratë për zbukurime do të dhurohen, janë jo bindëse.
Nëse qytetet kishin dashur që të ndihmonin të varfrit, ata që janë në nevojë, këtë do të duhej ta kishin bërë gjithë vitin. Nëse qytetet do të donin që të rregullonin jetën e qytetarëve e të ndërtonin, rrugë, a ujësjellës, a kanalizim, këtë kishin mundësi ta bënin gjatë gjithë vitit. Pra asgjë që duhej të bënin s’kanë bërë dhe tani kur duhet të japin pak shpresë, i fikin të gjitha dritat dhe mbi të gjitha i përzënë edhe ata që kanë e duan të shpenzojnë në kohë festash. Këtë vit “hit” i madh është Korça. Nuk kam ende statistika zyrtare, por sipas njoftimeve vetëm nga momenti i hapjes së dritave, e deri në ditët në vijim është rritur e shtuar numri i vizitorëve në qytet. Kjo me terma ekonomik do të thotë, zhvillim. Rritje ekonomike, qarkullim parash, tregti por dhe njohje më e madhe mes nesh, vizita, turizëm.
Dhe Korça nuk është se është ndonjë qytet i madh. Ka rreth 75 mijë banorë. Nuk ka as liqen e as det. Nuk ka as lum e as atraksione natyrore. Ka rrugë me kalldrëm dhe mbi të gjitha ata që e kanë drejtuar vitet e fundit vizion. Ka një çarshi, që është rinovuar së fundmi dhe ka plot sharm e traditë për gëzim. Qyteti nuk është edhe aq i pasur. S’ka industri të caktuar. Ka emigracion thuajse si gjithë qytetet tona. Pse i përmend këto? Sepse dua të them që nuk është vend i pasur dhe ku padyshim ka njerëz në nevojë e të varfër, e ku me siguri ka probleme të përditshmërisë. Imagjinoni tani, që në vend të shpenzimeve për dritat e zbukurimin e qytetit, e shndërrimin e tij në një atraksion, paratë tu jepeshin familjeve të varfra e në nevojë? (Që në esencë për mua duhet tu jepen në vazhdimësi dhe jo vetëm një herë në vit) Qyteti s’do arrinte të ketë fitime, bizneset dhe hotelierët nuk do fitonin dhe në fund të fundit as qyteti nuk do kishte të ndihmonte pikërisht ata që janë në nevojë.
Ironia e qyteteve tona, e atyre që drejtojnë është se s’kanë as një inovacion, udhëhiqen nga mendësitë më të ulëta dhe nuk kanë asnjë guxim minimal për të udhëhequr. Të krijojnë një prirje të re apo dhe një moment të ri tradite. Pazari i Korçës, meqë e marrim si shembull, s’është as sa gjysma e Çarshisë së Shkupit. Veç mendoni çfarë mirëqenie e atmosfere do të krijohej nëse festat vinin dhe këtej. Imagjinoni, Tetovën e mbushur plot, me njerëz nga kudo, të cilët kishin ardhur edhe për festë, edhe për skiim dhe festonin edhe gëzonin sa në Kodrën e Diellit e sa në qytet. Imagjinoni Strugën me potencial të shumëfishuar, kur nuk do ishte destinacion i dytë pasi Ohri nuk përmbush gjithë kapacitete e veta, por të kishte një festë popullore buzë Drinit me vizitorë nga gjithë andej.
Festat, pra kanë edhe logjikë ekonomike. Sjellin të ardhura. Qytetet mund të përfitojnë dhe realisht të investojnë vitin që vjen në projekte apo dhe infrastrukturë aq të nevojshme në përditshmëri. Ka edhe një dimension tjetër e gjithë kjo festë e fundvitit. Krijimin e kulturës së përbashkët ku përkasin të tërë. Nëse ka festë në gjithë rajonin, nëse ka atmosfere gëzimi gjithandej, nëse momenti na mëson se e ndryshmja mes nesh në fakt është vlerë, pse ne duhet të ndahemi e të veçohemi? Pse mos festohet me të gjithë njëkohësisht? Ky moment, si nga aspekti i mundësisë së përfitimit ekonomik si nga aspekti i krijimit të kulturës së përbashkët, por që nuk ndodh, është vetëm reflektim i mungesës së vizionit i cili prej kohësh veç na tërheq prapa dhe assesi të shtyjë drejt përparimit. Në fund të fundit gjërat fillojnë me pak por efektet mund të jenë të mëdha.
Ironia edhe më e madhe është se këta drejtues të qyteteve tona, të afërmit e tyre, ikin dhe gëzojnë me gjasë diku tjetër dhe lënë njerëzit me zymtësinë e vitit të ikur me përplot halle. Dhe pa asnjë xixë shprese. Fundviti përherë krijon një moment reflektimi personal e shoqëror, se çfarë është arritur dhe një moment projeksioni për të ardhmen. Normale që asgjë nuk ndryshon nga 31 dhjetori në 1 janar, veç vitit. Por nëse të paktën jepet një ndjesi se gjërat edhe mund të bëhen më mirë do ishte me vlerë. Por jo, drejtuesit e qyteteve tona, do të lënë njerëzit në errësirën e dimrit. Pa drita, pa zbukurime, pa vizione. Por megjithatë, si në vijimësi, njerëzit vetë kanë gjetur zgjidhje dhe si rrjedhojë tentojnë ta bëjnë jetën më të mirë e më të bukur. Prandaj, lërini këta drejtues në gjendjen e tyre dhe të shohim, aq sa mundemi vete përpara.
Prandaj, gëzuar! Ju uroj të gjithëve që viti tjetër të sjellë festa, por mbi të gjitha mirëqenie dhe zhvillim. Sepse veç të tillë, të gjithë ne, mund të përballojmë me më lehtësi sfidat që do të vijnë.
Gëzuar dhe një herë!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)