Dy barazime 1-1 në dy ndeshjet e para të raundit të 5-t të fazës së grupeve në Uefa Champions League. Në Stamboll festa ishte e gjitha për Besiktasin që falë barazimit 1-1 ndaj Portos jo vetëm që u kualifikua në fazën tjetër por siguroi edhe vendin e parë në grupin G. Të parët që kaluan në avantazh ishin portugezët falë një skeme perfekte që shokoi turqit. Ishte i Felipes goli i avantazhit në të 29-tën, por 4 minuta përpara fundit të pjesës së parë, braziliani Talisca barazoi rezultatin. Deri në fund shifrat nuk ndryshuan më me skuadrën turke që u ngjit në kuotën e 11 pikëve, 4 më shumë se Porto që pozicionohet e dyta dhe që gjithashtu është pranë kualifikimit.
Në Rusi, Maribori pa Valon Ahmedin që qëndroi në stol gjatë gjithë 90-minutëshit, bëri surprizën në fund duke ndalur në një barazim 1-1 vendasit e Spartakut të Moskës. Golit të Ze Luis në të 82-tën ju kundërpërgjigj në minutat shtesë, Mesanovic. Me këtë barazim Spartaku i Moskës ja bën më thjeshtë gjërat përsa i përket kualifikimit në grupin E, Liverpoolit dhe Sevillas.