E pabesueshme, por e vërtetë! Gonzalo Higuain mund t’ia dalë mbanë dhe të grumbullohet për sfidën ndaj Napolit ditën e premte. Tek Juventusi janë optimistë që “El Pipita” mund të bashkohet me grupin pas operacionit në dorë dhe pasi të vlerësohet gjendja e tij, do të vendoset nëse do të jetë titullar apo do ta nisë nga stoli.
Sigurisht që në Itali kanë nisur të mendojnë që kjo është një taktikë e klubit për të çekulibruar kundërshtarin, por administratori Beppe Marotta ka dhënë lajmin e mirë se sulmuesi argjentinas ka nisur fazën e rehabilitimit dhe prania e tij në “San Paolo” të premten do të varet nëse do të ndjejë dhimbje në dorën e operuar. 30-vjeçarit i është vendosur një mbrojtëse, që lejohet në fushën e lojës. Për momentin, mjekët nuk janë shprehur, por pritet që ta thonë fjalën e tyre në momentin fundit.
Autor i 8 golave në kampionat në 13 ndeshje, Higuain po provon gjithçka për të qenë i gatshëm kundër rivalëve më të forte për titullin.