Hiq më pak se 28 vjet mungesë në një Botëror, por më në fund, Egjipti ia doli të rikthehet mes më të mirëve të planetit dhe do të jetë një prej 32 finalisteve që do të udhëtojnë drejt Rusisë gjatë verës së ardhshme.
Njeriu i finaleve të mallkuara Hector Cuper, por edhe sulmuesi i Liverpoolit, Mouhamed Salah janë heronjtë e Egjiptit në mbrëmjen tragjike të Aleksandrisë në praninë e 85 mijë spektatorëve ku brenda pak minutave “Faraonët” kaluan nga Ferri në Parajsë pasi mundën vetëm në kohën shtesë Kombëtaren e Kongos 2-1. Në “Borg el-Arab Stadium”, Egjipti duhej të arrinte një fitore për të siguruar matematikisht kualifikimin pasi kryesojnë me 12 pikë, katër më shumë se Uganda e vendit të dytë kur kanë mbetur edhe 90 minuta nga fundi i eliminatoreve.
Ndeshja u zhbllokua në minutën e 63 pasi Salah u tregua i saktë përpara portës duke ndezur festën, por Moutou tre minuta nga fundi bëri që në stadium të pllakoste heshtja. Gjithsesi, Egjipti nuk u dorëzua dhe në minutat shtesë gjeti një tjetër gol me Salah që nga pika e bardhë e 11-metërshit nuk fali duke çelur zyrtarisht festën për rikthimin e “Faraonëve” në Kupën e Botës.