Besimtarë të fesë së krishterë festojnë festën e Pashkëve, një rit që e ka zanafillën mijëra vite më parë. Sipas librit të shejtë të Biblës, Pashkët festohen pasi në këtë ditë besimtarët e krishterë kumtojnë vdekjen e Krishtit. Po sipas këtij libri, Krishti vendosi të vdesë për të mirën e njerëzimit, dhe me këtë akt thuhet se liroj nga të këqijat të gjithë popullin.
Gjykimi, dënimi, mundimi dhe vdekja e pafajshme e Jezu Krishtit ishte një përputhje më festat e Pashkëve të hebrenjve. Dhe sipas të gjitha gjasave vdekja e Jezu Krishtit përputhet me vigjiljen e Pashkëve të vitit 30, ditë në të cilën flijoheshin viktimat e Pashkëve në Tempull. Ishte, pra, ditë e premte, pasi që në atë vit Pashka binte në ditën e shtunë. Kur kaloi e shtuna, pra një ditë pas, gratë të cilat e kishin përcjellë Jezusin nga Galilea shkuan te varri për ta përuruar Trupin e Jezusit.
Duke shkuar te varri gjetën varrin e zbrazur dhe i dëgjuan këto fjalë: “Ai u ngjallë nuk është këtu! Pra, Pashka e krishterë është vazhdimësi e Pashkëve hebraike, është përsosmëria e tyre. Për Pashkët hebraike përkujtohej kalimi apo lirimi i një populli nga robëria egjiptiane; ndërsa me Pashkët e krishtera përkujtohet dhe kremtohet mundimi, vdekja dhe ngjallja e Jezu Krishtit, si kalim prej robërisë se mëkatit, në lirinë e bijve të Hyjit. Darka e Mbrame është lajmi profetik i këtij misteri. Vdekja dhe Ngjallja ishin konfirmim i tij, ndërsa Eukaristia është përkujtim i mundimeve, vdekjes dhe i ngjalljes së Jezu Krishtit.
Pashka e Jezu Krishtit është po i njëjti kalim, apo gjaku i tij është shpëtim për njerëzimin që Hyji të kapërcejë dhe të mos dënojë, por të falë popullin e tij për meritat e Jezu Krishtit. Jezu Krishti është Qengji Shpëtimtar. Këtë e shpreh shumë mirë edhe Shën Pali në letrën e parë drejtuar Korintianëve:“Pastrohuni prej tharmit të vjetër, që të bëheni brumë i ri, sikurse jeni edhe të pabrumë, sepse Krishti – Qengji ynë i Pashkëve, tanimë është flijuar” (1 Kor 5, 7). Ungjijtë kalimin prej Pashkës se vjetër në Pashkën e krishterë e nënvizojnë pikërisht prej Darkës se Fundit. Për hebrenjtë ishte darka e Pashkëve, ndërsa për të Krishterët u bë Eukaristia.
Në këtë ngjarje Hyji është treguar si Atë, sikur thotë edhe vetë Shën Gjoni: “Vërtet Hyji aq fortë e deshi botën, saqë e dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por të ketë jetën e pasosur”. Nëpërmjet ngjalljes se Jezu Krishtit mbi secilin njeri zbriti edhe dhurata e Shpirtit Shenjt, si zbatimi i misterit të veprës së shëlbimit apo shpëtimit – Mister i Pashkëve tona.
Të krishterët, për çdo të diele (prej 2000 vjetësh) e përkujtojnë këtë Mister të Pashkëve, pra Misterin e Shpëtimit të tyre. E në veçanti, në mënyrë kremtore e përkujtojnë me Festën e Pashkëve, të cilës i paraprin një periudhë përgatitore prej dyzet ditëve që fillon më të Mërkurën e përhime dhe quhet koha e Kreshmëve. Festës se Pashkëve i paraprin Java e madhe, e cila fillon më të Dielën e Larit dhe përfundon më treditëshin e Pashkëve.
Dhe krejt në fund duhet theksuar që Festa e Pashkëve, e sidomos liturgjia e saj, është shumë e begatshme me shenja dhe simbole siç janë: bekimi i ujit, bekimi i zjarrit, bekimi i bukëve të pabrume, ngjyrosja e vezëve e shumë pjesë të traditës kishtare sidomos në vigjiljen apo natën e Pashkëve, pas bekimit të ujit, po me atë ujë pagëzoheshin anëtarët e rinj që e përqafonin fenë e Krishterë.
Një nga traditat më interesante, të lidhura me përgatitjen e Pashkëve është veza me ngjyra. Në ngjyrosjen e tyre merr pjesë e gjithë familja. Por në të kaluarën vetëm gratë kanë pasur të drejtën t’i ngjyrosin dhe t’i shkruajnë vezët e Pashkëve.
Për këtë qëllim ata vetë i kanë ngatërruar bojërat në kushte shtëpiake me bojëra natyrore duke shfrytëzuar barëra, lëvozhga prej qepe, lëkurë prej druri e kështu me radhë.
Kurse përmes teknikave të ndryshme gjyshet tona kanë pikturuar mbi vezë diej të çuditshme, lule, kafshë dhe figura të tjera të ritit. Sot është e mjaftueshme të shkosh deri tek dyqani përballë, që të marrësh bojëra të mira, kurse më pas… të derdhësh mbi vezë të gjithë shpirtin dhe fantazinë!