Presidenti amerikan Donald Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump pritën në Shtëpinë e Bardhë mysafirë të veçantë të hënën në mbrëmje, në vigjilje të festës së Halloween-it. Siç e do tradita, Presidenti u shpërndau karamele fëmijëve të maskuar me kostumet e festës. Fëmijët vinin kryesisht nga zona e Uashingtonit, por mes tyre kishte dhe fëmijë të familjeve ushtarake të ftuar posaçërisht për të festuar në oborrin e Shtëpisë së Bardhë. Krahas Presidentit dhe Zonjës së Parë për të festuar, ishin dhe sekretarja për shtypin Sarah Huckabee Sanders dhe Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions. Shtëpia e Bardhë ishte zbukuruar me rrjeta merimangash, lakuriq nate e kunguj portokalli, ku ishin gdhendur profilet e disa presidentëve të hershëm amerikanë.