Fest dhe minifestivale në çdo “lagje”

Në programin e sivjetshëm të Ministrisë së Kulturës është rritur numri i festivaleve që mbështeten financiarisht nga ky institucion. Por, ajo që preokupon më shumë organizatorët është jo vetëm mbarëvajtja, por në disa prej tyre vihet në pikëpyetje edhe startimi. Nëse Festivali i Tetovës vetëm pasi arriti të konturohet iu përgjysmua buxheti, apo ai i Dibrës vijon me të njëjtin buxhet minimalist, një tjetër festival i ri, Othello, mund edhe të mos mbahet

30

Evis HALILI

Shkup, 16 qershor – Stina e festivaleve teatrore nisi me edicionin e parë të Festivalit të kukullave në Dibër dhe pritet të vijojë gjatë muajve në vazhdim. Në programin e sivjetshëm të Ministrisë së Kulturës është rritur numri i festivaleve që mbështeten financiarisht nga ky institucion, shkruan gazeta KOHA. Por, ajo që preokupon më shumë organizatorët është jo vetëm mbarëvajtja, por në disa prej tyre vihet në pikëpyetje edhe startimi. Nëse Festivali i Tetovës vetëm pasi arriti të konturohet iu përgjysmua buxheti, apo ai i Dibrës vijon me të njëjtin buxhet minimalit një tjetër festival i ri, Othello, mund edhe të mos mbahet. Përveç Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Skupi Fest”, Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove që e organizon Teatri i Tetovës dhe Festivalit të Teatrove të Dibrës, numërohen edhe disa festivale të tjera nga produksionet alternative, si ai i Dibrës nga Artkult-57 që një muaj më parë organizoi festivalin e parë të kukullave, ai në Gostivar “Otello”, KuFest në Kumanovë, apo K’tu Fest në Teatrin Poshka në Strugë.
“Në Gostivar duhet të ketë një festival teatri, por Othello si duket as që do të nisë. Edhe pse na është dhënë përkrahja nga Ministria, shuma e ndarë është shumë e vogël, është shumë pak, aq sa as natën e parë nuk mund ta mbulojë. Shpresonin të fillojmë në shtator dhe ta vazhdonim si një ngjarje tradicionale, por është e pamundur. Nëse nuk marrin fonde edhe nga donatorë të tjerë do të jemi të detyruar t’i kthejmë paratë. Mbështetja e projekteve duhet bërë në formën e duhur, jo për të shtuar numrat, por për të ngritur cilësinë”, thotë Argjend Hasani, organizatori i Festivalit.
Në qytetin fqinj, Tetovën, Festivali Ndërkombëtar i Teatrit edicionin e gjashtë do ta ketë ndryshe. Buxheti i përgjysmuar këtë vit do të vërë shumë pikëpyetje mbi vetë cilësinë e tij.
“Arritëm vjet që t’i jepnim konturet finale, ia arritëm që të sjellim shfaqje nga autorë bashkëkohorë, teatro të mira, të ndajmë më shumë çmime, pra pas pesë vitesh realizuam konceptin që kishim në filli, të një festivali me të gjitha nishanet. Por zakonisht tek shqiptarët vazhdimësia nuk zgjat shumë. Sesi do të jetë këtë vit, s’e di, pasi buxheti na është përgjysmuar”, thotë Valmir Aziri, drejtor i Teatrit të Tetovës. Mbështetje të vogël financiare përfiton edhe Festivali i Teatrove të Dibrës, i cili nga viti në vit ka ndryshuar formatin, cilësinë, e të tjera. Në Shkup përveç Skupi Festit, i cili mban një lloj konstante organizimi prej disa vitesh, Teatri Shqiptar i Shkupit ende s’e ka vendosur nëse do të duhet të formojë një festival. Drejtori Adem Karaga thotë se themelimi i festivaleve duhet të bëhet në formë të institucionalizuar, të sigurohet vazhdimësia, në mënyrë që mbarëvajtja e tyre në të ardhmen, të mos vihet në pikëpyetje.
“Çështja e festivale nëse duhet të kemi më pak dhe më shumë cilësi, apo më shumë është e gjerë, por gjithsesi që me fonde të vobekta nuk mund të bëhet festival, prandaj jam mendimit se duhet të institucionalizohet formimi i tyre. Festivalet janë të mira, janë pikëtakime vlerash, por në asnjë mënyrë nuk duhet të shndërrohen në mjete për të realizuar qëllime të pista, se një gjë e tillë më së pakti i duhet teatrove dhe aktorëve që kanë ardhur në një gjendje të atillë sa nga halli të shesin zërin e fytyrën në reklama. Edhe ne e kemi menduar për një festival, pse jo, por njëherë duhet të vendosemi në objektin tonë”, thotë për KOHA, Karaga. Në Ministrinë e Kulturës këtë vit u miratuan më shumë projekte në sferën e artit dramatik. Sipas tyre rritja e numrit të festivaleve të reja, nuk do të dëmtonte buxhetin, i cili është rritur proporcionalisht me numrin e projekteve dhe festivaleve.

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Comments are closed.