Sebastian Vettel me Ferrari fitoi mëngjesin e sotëm garën e Çmimit të Madh të Australisë në Formula 1, gara e parë sezonale, duke e nisur me këmbën e mbarë Botërorin 2017 (suksesi i 4-t me Ferrarin). Një sukses që mungonte prej një viti e gjysmë për makinën italiane, që rikthehet protagonist në garat e automobilizmit. Një paraqitje e mirë e “kokëkuqes”, që konfirmoi sot në pistë se rezultatet e testeve të dimrit nuk ishin rastësi dhe se ndryshimet e bëra dhanë efekt në pistë. Vettel la pas dy makinat Mercedes, me Lewis Hamilton që u rendit i dyti, duke mos përfituar dot nga “pole” që fitoi dje. Ndërsa i treti u klasifikua finlandezi Valtteri Bottas, duke kompletuar podiumin e garës së parë sezonale. Një garë në përgjithësi e qetë, ku munguan parakalimet dhe spektakli i madh, por fakti që Ferrari rikthehet te fitorja është një ogur i mirë për Formula 1, pasi rikthen rivalitetin.
Pjesa e parë e garës është e qetë, pasi edhe në start makinat në krye nuk ndryshojnë pozicion. Hamilton ruan kreun, ndjekur nga Vettel, që nuk arrin të parakalojë dot rivalin në start, por britaniku nuk arrin të shkëputet. “Kokëkuqja” është gjithnjë pranë Mercedes, duke lënë të hapur garën. Dhe në ndalesat e parë për ndërrimin e gomave nisin të ndryshojnë edhe pozicionet. Hamilton hyn i pari dhe kjo strategji duket se i kushton shumë makinës kampione, pasi Vettel qëndron edhe disa xhiro më shumë, duke marrë kryesimin e garës. Madje Ferrari i pilotit gjerman shkëputet mbi 6 sekonda nga britaniku, ndërsa pas tyre qëndrojnë Bottas e Raikkonen (tërhiqet Ricciardo, që sot e nisi garën nga bokset).
Pjesa e dytë e garës nuk dhuron asnjë surprizë, me Vettel që menaxhon si avantazhin e krijuar me dy makinat Mercedes ashtu dhe gomat, duke bërë një garë të qetë deri në fund. Emocionet më të mëdha i dhuron dueli brenda familjes Mercedes, me Bottas që tenton t’i afrohet Hamilton, ndërkohë që pas tyre edhe Max Verstappen rivalizon me Kimi Raikkonen për vendin e katërt. Por makinat nuk ndryshojnë dot pozicionet, me Vettel që vë në resht rivalët dhe fiton garën e parë sezonale. Në zonën e pikëve, nga vendi i gjashtë në të dhjetin, përfunduan edhe Massa (Williams), Perez (Force India), Sainz (Toro Rosso), Kvyat (Toro Rosso) dhe Ocon (Force India). Kishte 7 vjet që Ferrari nuk fitonte garën e parë sezonale, që kur Alonso (sot u tërhoq xhirot e fundit) fitonte në Bahrein në vitin 2010.
Ferrari rikthehet fitues, Vettel fiton garën e Australisë
Leave a comment