Kreu i Ferrarit, John Elkann, ka pranuar se skuderia italiane nuk do të mund të jetë konkurruese në Formula 1 para vitit 2022. Elkann gjithashtu ka shprehur “besimin e tij të plotë” në inxhinierin kryesor Mattia Binotto pas fillimit të vështirë të Ferrarit në sezonin e ri.
“Ne po hedhim themelet për të qenë konkurrues dhe për t’iu rikthyer fitoreve kur rregullat të ndryshojnë në vitin 2022. Jam më se i bindur për këtë”, ka insistuar Elkann.
“Binotto ka karakteristikat dhe aftësitë për të nisur një cikël të ri triumfues”, shtoi më tej Elkann. Në një intervistë të rrallë, Elkann ka thënë se Binotto ishte pjesë e Ferrarit kur skuderia ka dominuar plotësisht në F1, në fillim të viteve 2000, me pilotin Michael Schumacher, pastaj shefin Jean Todt dhe drejtorin teknik Ross Brawn.
“Na pret një rrugë e gjatë. Kur Todt e nisi atë cikël historik në vitin 2000, te Ferrari kishin pritur më shumë se dy dekada për një sukses të tillë. Pra, edhe atëherë skuderisë i është nevojitur kohë. Gjëja më e rëndësishme është që të punojmë dhe të krijojmë stabilitet, duke e ndërtuar skuderinë e Ferrarrit hap pas hapi”, është shprehur Elkann.
Ferrari e ka nisur vitin 2020 me një bolid që është më shumë se një sekondë në xhiro më i ngadaltë sesa Mercedesi, që përcakton ritmin dhe deri më tash ka fituar në tri garat e mbajtura. Ferrari zë vendin e pestë në renditjen e konstruktorëve pas tri garave, falë pozitës së dytë të Charles Leclercut në garën e parë të këtij sezoni, që edhe mbetet rezultati më i mirë për skuderinë italiane.
“Këtë vit nuk jemi konkurrues për shkak të gabimeve në krijimin e bolidit. Kemi pasur një seri dobësish strukturore që ekzistojnë për ca kohë në aerodinamikën dhe dinamikën e bolidit. Kemi humbur edhe fuqinë e motorit”, ka zbuluar Elkann.
“Realiteti është se bolidi ynë nuk është fare konkurrues. Këtë të gjithë e kanë parë në shteg dhe do ta shohin përsëri gjatë këtij sezoni”.
Elkann foli edhe për vendimin e skuderisë për të mos rinovuar kontratën me pilotin gjerman Sebastian Vettel, të cilin në vitin 2021 do ta zëvendësojë me spanjollin Carlos Sainz. Për të ardhmen te Ferrari presin shumë nga dyshja e pilotëve Leclerc – Sainz.
“Në dekadën e fundit kemi pasur ngasës si Alonso e Vettel, të cilët kanë qenë edhe kampionë të botës. Por është padyshim më e vështirë të rindërtoni një cikël dhe të kërkoni durim nga ata që tashmë kanë fituar në krahasim me ata që kanë të ardhmen përpara tyre”, është shprehur Elkann.
“Ne po ndërtojmë diçka të rëndësishme dhe të qëndrueshme, gjë që më së miri e vërteton kontrata pesëvjeçare që kemi nënshkruar me Leclercun, që edhe është më e gjata në historinë e Ferrarit. Leclerc dhe Sainz do ta bëjnë Maranellon shtëpinë e tyre, do të jenë pranë inxhinierëve tanë. Bolidi i ri i Ferrarit që do të rikthejë edhe sukseset, do të lindë me ta”, vazhdon më tej Elkann.
Gara e radhës në Formula 1, që është e katërta në kalendarin e këtij viti, do të mbahet këtë vikend në Britaninë e Madhe. Deri më tash Formula 1 ka mbajtur dy gara në Austri dhe një në Hungari.