Ferrari ka vendosur të mos e apelojë dënimin prej 5 sekondash që komisarët e pistës së garës së Kanadasë i dhanë pilotit Sebastian Vettel në garën e fundit të zhvilluar në pistën e Montreal. Dënim që i hoqi fitoren Vettel në favor të Lewis Hamilton, pas incidentit që dy pilotët patën në xhiron nr.48 të garës.
Gjithsesi, beteja mes “kokëkuqes” dhe Formula 1 nuk ka përfunduar. Ferrari ka vendosur të ndjekë një rrugë tjetër, të kërkojë një “rishikim të çështjes në FIA”. Këtë gjë makina italiane e kërkon përmes elementeve të reja që ka në dispozicion dhe që nuk janë analizuar nga komisarët e pistës në momentin që kanë marrë vendimin për të penalizuar Vettel.
Ferrari kishte 14 ditë kohë për të paraqitur një mendim për dënimin dhe sot ka vendosur zyrtarisht të veprojë. Duke qenë se përmes apelimit të dënimit makina italiane nuk kishte asnjë shans të fitonte, atëherë ka vendosur të veprojë përmes të “drejtës së rishikimit të pamjeve vizive”. Është njësoj sikur çështja të shkojë në CAS-in e Formula 1.
Kjo gjë ndoshta nuk do të sjellë përmbysje të vendimit apo Ferrari të nisë një betejë ligjore me Formula 1. Ferrari shpreson që përmes këtij veprimi të ndihmojë FIA-n të rishohë rregulloren dhe procedurën. Më pas do të jetë FIA ajo që do të vendosë për ndryshimin e rregullores, apo të heqë dënimin dhe t’i japë fitoren Vettel. Ky vendim pritet të merret brenda qershorit.