Sebastian Vettel nuk e fajëson skuadrën e tij për gjithçka ndodhi fundjavën e shkuar në pistën e Sepang, për Cmimin e Madh të Malajzisë, ku problemet teknike e lanë atë jashtë kualifikimit. Njëvendeshja e kuqe e Vettel përfundoi në tapet por kjo nuk e shkurajon 30 vjeçarin gjerman katër herë kampion bote. “Sigurisht që nuk është aspak normale dhe për më tepër e lehtë që të përballesh me dy probleme të njëjta brenda vetëm një fundjave, por sërish nuk mund të ankohemi për besueshmëri apo seriozitet. Mbarëvajtja e gjithë sezonit deri më tani ka qenë e mirë dhe nuk jemi përballur me probleme të tilla. Në fakt këto lloj problemesh ndodhin pikërisht atëherë kur je i detyruar të shkosh në limit. Gjithsesi, nga ana tjetër kemi avantazhin të kemi makinë shumë të shpejtë që për mua është superiore ndaj pretendentëve të Mercedes. Shpejtësia jonë premton shumë, prandaj jam vërtet optimist dhe mendoj se me të fitorja është gjithmonë një opsion i prekshëm.” Nëse në Maranello do të arrijnë të zgjidhin këtë problem teknik Suprizat nuk do të mungonin në Çmimin e Madh të Japonisë.