Feronikeli, ekipi kampion në fuqi i Kosovës, gati për përballjen e parë me kundërshtarin uellsian, The New Saints, në raundin e parë kualifikues të Championsit. Skuadra nga Drenasi zhvilloi seancën e fundit stërvitore të hënën në mbrëmje e tashmë pret e qetë orën 20:00 të kësaj të marte, për të marrë rezultatin e duhur në këtë transfertë.
Futbollistët janë shfaqur në formë të mirë dhe të çlodhur nga udhëtimi për në shtetin e Uellsit, duke performuar me intensitet të lartë në stërvitje. Atmosfera pozitive mbizotëron edhe në shtabin teknik.
Për Feronikelin ky është një moment historik, pasi në pjesëmarrjen e parë në Champions League, synon të kualifikohet në raundin e dytë, çka do t’i siguronte të ardhura të mira klubit.
Kujtojmë që në raundin paraeliminator, skuadra kampione e Kosovës mposhti në gjysmëfinale Lincoln Red Imps të Gjibraltarit dhe në finale Santa Coloman e Andorrës.