Feronikeli do të kërkojë të bëhet klubi i parë kosovar që e arrin rundin e tretë kualifikues në përpjekje për ta siguruar kalimin në fazën grupore në garën dytësore evropiane, Ligën e Evropës, në përballjen e sotme kundër Slovan Bratislavës.
Kampioni i Kosovës e pret klubin sllovak sonte në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, në ndeshjen e kthimit që nis në orën 18:00, duke e pasur në mendje humbjen 2:1 nga ndeshja e parë në Sllovaki para një jave, raporton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.
Bratislava triumfoi 2:1 ndaj Feronikelit falë golave nga Nono dhe Sporar në ndeshjen e parë të rrethit të dytë kualifikues për Ligën e Evropës, në Narodny Futbalovy Stadion të mërkurën, por një gol nga Mendurim Hoti i jep shumë shpresa dhe gjasa Niklit për kalim tutje duke qenë se ndeshjen e kthimit do ta luajë në shtëpi.
Fitorja minimale apo çfarëdo fitore tjetër me dy gola apo më shumë, e dërgon klubin nga Drenasi në rrethin e tretë kualifikues, që do të ishte historike për një klub kosovar.
Slovan Bratislava e shkarkoi trajnerin e vet serb, Vladimir Radenkovic, e bashkë me të edhe bashkatdhetarin e tij, trajnerin fizik Srdjan Zirojevic, pas ndeshjes me Feronikelin, gjatë të cilës ata s’u paraqiten për shkaqe politike dhe me kërkesë të qeverisë së Serbisë.
Kozak u detyrua ta drejtojë vetë skuadrën, për shkak se trajneri serb Vladimir Radenkovic bashkë me dy futbollistë të tjerë serbë, Aleksandar Cavric dhe Dejan Drazic, nuk u paraqiten për Bratislavën duke e respektuar kërkesën jo sportive dhe politike të qeverisë së Serbisë për të mos luajtur ndaj një ekip nga Kosova.
Kozak, i cili kishte qenë kritik ndaj lojtarëve të vet pas ndeshjes së parë, do ta drejtojë Bratislavën edhe në këtë ndeshje.