Fernando Alonso ka nisur përgatitjet për debutimin e tij në turneun e “Indianapolis 500”, garë e cila do të zhvillohet më 28 maj në Amerikë. Për të garuar në këtë klasike të garave të automobilizmit, piloti spanjoll i MekLaren hoqi dorë nga gara e Çmimit të Madh të Monakosë, që zhvillohet në të njëjtën ditë. Pas garës së fundit të Spanjës, piloti kampion bote ka fluturuar në Amerikë, ku ka nisur përgatitjet e fundit. Në turneun amerikan ai do të garojë me skuadrën Dallara-Honda Andretti MekLaren. Madje 24 orë pas garës së Barcelonës piloti spanjoll ka zbritur në pistë në testet e para, duke realizuar kohën e 19-të dhe arritur shpejtësinë 223km/orë në pistë. Alonso është një debutues në këtë garë, por spanjolli është shprehur i kënaqur nga testet e para. “U shqetësova pak vetëm për temperaturën, pasi ishte më vapë krahasuar me testet e kryera më 3 maj. Por u argëtova me makinën dhe e ndiej se po përshtatem gjithnjë e më shumë me këtë garë. Ishte një ditë fantastike, pasi pothuajse kompletuam programin që kishim edhe pse patëm disa probleme të vogla teknike. Kam ende shumë për të mësuar nga kjo pistë dhe të përshtatem me të”, u shpreh Fernando Alonso. Vendin e tij në garën e Monako, në Formula 1, do ta zërë britaniku Xhenson Button.