Bruno Fernandes hodhi poshtë zërat se ka patur një debat të nxehtë me trajnerin e Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer, gjatë humbjes së thellë 1-6, në Premier League, përballë Tottenhamit. Mediat angleze pretenduan se portugezi, i cili realizoi me 11-metërsh golin e parë të sfidës dhe të vetmin për United, ishte zemëruar gjatë pjesës së parë me teknikun norvegjez dhe u la në dhomat e zhveshjes kur nisi fraksioni i dytë. Sidoqoftë, Fernandes i rrëzoi këto pretendime pas fitores së Portugalisë 3-0, në Ligën e Kombeve, ndaj Suedisë.
“Ka pasur shumë spekulime në lidhje me këtë. Fillimisht, ishte një përplasje me shokët e ekipit, pastaj me vetëm një shok skuadre (Victor Lindelof) dhe pasi nuk pati impakt tani është një debat me Solskjaer. Besoj se është një mënyrë për të destabilizuar grupin. Çfarë është thënë nuk është në asnjë mënyrë e vërtetë”, pohon Fernandes.
Fernandes shpjegoi më pas se trajneri e kishte zëvendësuar vetëm për arsye teknike, pasi nuk kishte më mundësi që Manchester United të kthente ndeshjen ndaj Tottenhamit.
“U zëvendësova në pjesën e parë, është e vërtetë, por për arsye teknike. Trajneri më tha se loja ishte pothuajse e mbaruar dhe se do të kishim shumë ndeshje të tjera. E kuptova. Unë nuk isha i kënaqur, por nuk thashë asgjë, kjo mund të dëmtojë grupin”, shtoi më tej portugezi. Pas vetëm një fitoreje në tri ndeshjet hapëse të sezonit të Premier League-s, presioni ndaj Solskjaer ka qenë në rritje.
Por, Fernandes këmbëngul se Manchester United ishte gati të përgjigjej kundër Newcastle, të shtunën. “Mos përdorni emrin tim, të kolegëve të mi ose të trajnerit për të ngritur çështje që nuk ekzistojnë te Manchester United. Atmosfera është e mirë dhe ekipi është i gatshëm të japë një përgjigje që në ndeshjen tjetër”, përfundoi Fernandes.