Pritet që deri në vitin 2030 në Maqedoni të ketë ulje deri në 50 për qind të rendimenteve të kulturave strategjike , si pasojë e ndryshimeve klimatike
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 10 janar – Ndryshimet klimatike pritet të kenë ndikim të madh ndaj bujqësisë dhe prodhimtarisë së ushqimit në botë dhe rajon. Në Maqedoni, në 20 vitet e fundit shënohet rritja mesatare prej dy gradë e temperaturës si dhe rënie e konsiderueshme sasive të shiut. Lëvizje të ngjashme negative pritet të vazhdojnë edhe në të ardhmen, shkruan gazeta KOHA.
Bile pritet që deri në vitin 2030 në Maqedoni të ketë ulje më të madhe të rendimenteve të kulturave strategjike bujqësore si gruri dhe domateve deri në 50 për qind. Vlerësohet se lugina e lumit të Vardarit, rajonet e Strumicës, dhe Gjevgjelisë si dhe fushat e Kumanovës dhe Ovçe Poles janë më të prekshme nga rritja e temperaturave dhe ulja e lagështisë në truall. Mirëpo dëme mund të priten në gjitha rajonet bujqësore të vendit me intensitet më të lartë apo më të ulët.
Ekspertët e bujqësisë thonë se ekzistojnë më shumë masa që mund të aplikohen për të zbutur dhe parandaluar pasojat negative të ndryshimeve klimatike ndaj bujqësisë si vaditja pikë për pikë që shfrytëzojnë 90 për qind të ujit në raport me vaditjen e rëndomtë që shfrytëzon 60 për qind të ujit, rritja e hapësirave që ujiten në të ardhmen, vendosja e rrjeteve mbrojtëse në pemëtari dhe kultivimin e rrushit, ruajtja e tokës, mbrojtja ndaj dëmtuesve të ndryshme të bimëve që do të paraqiten .
“Ndër masat kryesore të adaptimit të bujqësisë ndaj ndryshimeve klimatike janë kursimi i ujit me përdorimin e ujitjes pikë për pikë, rrjetet mbrojtëse nga breshëri dhe rrezatimi i diellit, masat agroteknike për konservimin e ujit dhe tokës bujqësore, masat për uljen e erozionit të truallit dhe rritjen e përmbajtjes së materieve organike , rritja e kulturave të reja etj. Mirëpo edhe pse masa të tilla sjellin edhe rezultate të mira, megjithatë fermerët në vend si rrjedhojë e nevojës për investime dhe fuqisë së dobët ekonomike, nuk i përdorin edhe aq shumë”, thotë profesori universitar Jordan Çukaliev.
Sipas tij, tek fermerët në Maqedoni akoma nuk mbretëron mendimi se ndryshimet klimatike me të vërtetë po ndodhin, dhe se të gjithë jemi përgjegjës për pasojat dhe mbrojtjet, përmes masave përkatëse të adaptimit. Njëherazi edhe përkrahja shtetërore në këtë drejtim nuk mundëson investime në shkencë, hulumtime dhe masa parandaluese por bazohet në mjekimin e pasojave në vend të parandalimit.
Ndryshe, rekomandohet edhe ndërrimi i kultivimit të kulturave, përzgjedhja e kulturave të cilat janë të rezistueshme ndaj insekteve të dëmshme, trajnim i bujqve për ruajtjen e ujërave nga të reshurat në regjionet të prira ndaj përmbytjeve me kompensim adekuat, zvogëlimi i kullotjes tej mase të kullotave për shkak të mbrojtjes nga erozionet dhe përmbytjet, zmadhim i sipërfaqeve nën pyje dhe gjelbërim në rajonet bujqësore apo kapaciteteve për pranimin e të reshurave. Preferohet edhe përdorim i llojeve dhe farave më produktive, kultivim i kulturave që rriten shpejtë që të shumëfishojnë rendimentet, kultivimi i kulturave që janë të rezistueshme ndaj ngricës dhe thatësirës. (koha.mk)