Nga Qerim LITA
Presioni i vazhdueshëm i diplomacisë jugosllave, si duket ishin shkaqet kryesore që Qeveria turke, të shpall fillimin e negociatave me Beogradin . Kjo informatë doli nga MPJ-ë jugosllave e cila më 22 maj të vitit 1936, Legatës saj në Stamboll i shkruante: “Ministria për Punë të Jashtme ka nderin t’u njoftoj se ndihmës ministri turk për Punë të Jashtme z. Numan me rastin e qëndrimit të paradokohshëm të tij në Beograd e autorizoi të deleguarin e këtushëm turk se mund t’i filloj negociatat me ne për arritjen e marrëveshjes për shpërnguljen e popullsisë myslimane nga viset tona jugore. Mbi bazën e kësaj nga ana jonë të deleguarit të këtushëm turk z. Hajdar i janë dorëzuar edhe propozimet formale se në cilat baza të arrihet kjo marrëveshje…”.
Mirëpo, siç do të shohim në vazhdim, çështjet nuk rrodhën ashtu siç dëshironin qarqet e atëhershme qeveritare serbomadhe, të cilët fajësonin të deleguarin turk në Beograd, z. Hajdar, i cili siç bëhej me dije “nën ndikimin e disa qarqeve të këtushme”, po e zvarrit fillimin e negociatave. Lidhur me këtë, kryeministri jugosllav, Stojadinoviq, më 21 shtator 1936, urdhëronte Legatën në Stamboll që përmes telegramit të njoftohet se “si qëndron çështja e arritjes së konventës për shpërnguljen” dhe përse “Qeveria turke po e zvarritë atë përkundër premtimit të cilën na e ka dhënë”. Të njëjtën ditë, Legata jugosllave në Ankara, me telegramin nr. 26769, njoftonte Stojadinoviqin me sa vijon: “z. Hajdar Qeverisë turke ia ka dorëzuar propozimin tonë për shpërnguljen e myslimanëve nga Jugu. I është thënë se për shkak mungesës së kredive arritja e Konventës duhet të shtyhet për një kohë tjetër. Qeveria turke këtë vit nuk mund të pranoj as numrin minimal e të shpërngulurve dhe prandaj e ka urdhëruar të deleguarin e tij që mos lëshoj viza”. Po kjo legatë, më 28 dhjetor të atij viti, njoftonte MPJ-në se kohëve të fundit, një numër i madh i familjeve të shpërngulur në Turqi, përmes parashtresave, kërkojnë që legata në fjalë t’ua mundësoj kthimin e tyre në vendlindje. “Thuajse për çdo ditë – thuhej në njoftim – vijnë të shpërngulurit dhe lusin për kthim…. Legata Mbretërore edhe këtyre të shpërngulurve ua ka bërë me dije se nuk munden më të kthehen në Jugosllavi”.
Pas përpjekjeve thuajse dyvjeçare, autoritetet jugosllave, duke e shfrytëzuar Konferencën e Marrëveshjes Ballkanike, punimet e së cilës u mbajtën gjatë muajit shkurt 1938 në Stamboll, arritën ta bindin Qeverinë turke për fillimin e negociatave rreth Konventës. Për rrjedhojë, më 9 qershor të vitit 1938 në Stamboll filluan punimet e Konferencës së “Komisionit turko-jugosllav për shpërngulje”, që zgjati më shumë se një muaj, përkatësisht deri më 11 korrik 1938, kur dy palët negociuese parafuan tekstin përfundimtar të Konventës. Teksti i saj ishte në gjuhën frënge, ndërsa pikat më të rëndësishme të saj ishin:
“1. Nga Jugosllavia për në Turqi do të shpërngulen 40.000 familje myslimane nga Serbia Jugore /përkatësisht, nga territori i cili pas luftërave të viteve 1912-1913 i ka takuar Serbisë dhe Malit të Zi/;
- shpërngulja do të kryhet gjatë gjashtë viteve të ardhshme (1939-1944) me atë që mund të vazhdohet edhe për një vit jashtë atij afati;
- Jugosllavia për çdo familje të shpërngulur Turqisë do t’i paguaj nga 500 lira turke, prej tyre 30% në deviza, ndërsa pjesa tjetër prej 70% do të deponohet në dinar te Banka Popullore në llogari të Qeverisë turke. Nga kjo shumë e parasë së deponuar qeveria turke mund të blej pajisje në Jugosllavi;
- pagesa e mësipërme do të kryhet dy herë në vjet, muajin prill dhe tetor;
- kjo konventë i përket vetëm popullsisë fshatare, këtu shteti jugosllav shpërnguljen mund ta kryej me detyrim pa marr parasysh dëshirën e popullsisë. Për popullsinë qytetare shpërngulja është fakultative, përkatësisht, nëse këtë e dëshiron popullsia myslimane e qyteteve;
- konventa është përpiluar në atë mënyrë saqë mund të zbatohet jo vetëm për turqit por edhe për popullsinë shqiptare; shpërngulja e shqiptarëve përbën pjesën e kuptimit të fshehtë të saj;
- pronësia e patundshme e popullsisë fshatare të shpërngulur kalon në pronësi të shtetit jugosllav. Përveç pagesës prej 500 lirave shtetit turk, shteti jugosllav të shpërngulurve nuk do t’u paguaj asgjë për pronësinë e tyre bujqësore /arrat, kullotat, shtëpitë etj./;
- të shpërngulurit kanë të drejtë me vete të bartin edhe një pjesë të mallit të tyre; transportin hekurudhor deri në Selanik e siguron Qeveria jugosllave, më tej Qeveria turke;
Legalizimi dhe ratifikimimi i Konventës: Konventa fillimisht duhet të nënshkruhet, për arsye se e njëjta vetëm është parafuar. Konventa duhet të legalizohet dhe ratifikohet. Nuk rekomandohet procedur e rregullt për legalizim për shkaqe politike të brendshme e të jashtme. Më mirë do të ishte Koventa të jetësohet përmes rregullores, ndërsa më pas të legalizohet përmes ligjit të ardhshëm financiar”.
Gjatë periudhës përderisa zhvilloheshin negociatat, Ferhat bej Draga dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, zhvilluan një aktivitet të gjerë politik e diplomatik. Ministria e Punëve të Jashtme të Mbretërisë jugosllave, më 5 gusht të vitit 1938, përmes një shkrese, njoftonte legatën e vet në Ankara, se para pak kohësh, një delegacion shqiptar i udhëhequr nga Ferhat bej Draga dhe Maliq Pehlivani kanë udhëtuar për në Stamboll. “Nga të dhënat e marra – thuhej në njoftim – si duket të gjithë ata kanë udhëtuar për në Turqi për të vepruar te Qeveria turke me qëllim që mos të nënshkruhet Konventa rreth shpërnguljes së myslimanëve nga viset tona jugore ose së paku në të, të mos përfshihen shqiptarët të cilët jetojnë në mbretërinë tonë. Si duket ata, deputetëve të parlamentit turk u kanë dorëzuar një memorandum me të cilin i kanë paraqitur pikëpamjet e veta për atë çështje….”. Tre ditë më vonë, përkatësisht, më 8 gusht, MPJ-jugosllave, legatës në Ankara ia përcolli një letër, që deputeti turk Sabri Beu nga Stambolli ia kishte dërguar një mikut të tij në Beograd, ku veç tjerash në të shkruante: “…Nga Jugosllavia kanë arritur protesta të shumta. Njerëz të caktuar, të cilët kanë ardhë këtu, posa kanë arritur, janë parë me ministrat e këtushëm, ndërsa në mënyrë të veçantë kanë dorëzuar një promemorie të gjatë, në të cilën thonë se në Kosovë dhe në rrethinën e saj, edhe pse zyrtarisht ende nuk është themeluar Këshilli për shpërngulje, organet e pushtetit kryejnë terror të madh dhe se ka pas raste që njerëzit janë maltretuar. Qeveria (mendohet për atë turke – Q. L.) këto ankesa do t’i merr parasysh. Parashtresa të ngjashme u janë dorëzuar edhe anëtarëve të Kuvendit të Lartë Kombëtar…”. Po kjo ministri, më 19 shtator 1938, njoftonte se Qeveria e Mbretërisë shqiptare, kishte vendos që brenda disa ditëve ta dërgoj Mehmet bej Konicën për në Ankara, me qëllim të ndërmarrjes së “një aksioni te Qeveria turke kundër shpërnguljes së shqiptarëve nga Jugosllavia për në Turqi”.
Ndërkohë, i deleguari bullgar në Tiranë, Peejev, më 14 tetor të vitit 1938 i raportonte Sofjes, për një takim të tij me ministrin e Punëve të Brendshme të Turqisë. Gjatë bisedës së zhvilluar, ministri turk ia kishte përcjell shqetësimet e Ankarasë, rreth akuzave të Tiranës zyrtare “kundër Qeverisë turke sa i përket çështjes për arritjen e Konventës turko-jugosllave për shpërnguljen e 250.000 myslimanëve nga Jugosllavia për në Turqi…”. Kjo marrëveshje, thuhej më tej në raport “nuk niset nga një bazë solide, sepse Turqia nuk ka kërkuar nga ajo konventë ta keqpërdorë elementin shqiptar në Jugosllavi, por ka zbatuar politikë në grumbullimin e popullsisë së vet – turke, sepse konsiderohej se në Jugosllavi së paku ka 150.000 /në vend të maksimumit 50.000 siç dëshmojnë faktorët relevant shqiptar/, dhe nëse ato parashikime tregohen si të pabaza, nuk përputhen me realitetin, nuk do të pranohen 250.000 vetë, por më pak. Në vazhdim, Peev shkruante për pakënaqësinë e Ankarasë rreth alarmit në Tiranë, “i cili alarm dhe pakënaqësi e ka tejkaluar edhe mirësinë turke, në radhë të parë nga personalitete gjysmë-përgjegjëse shqiptare”, të cilët për të njëjtën çështje “kanë prezantuar memoare dhe kanë vënë në pah ndërkëmbëza dhe akuza kundër Turqisë, që e ka dëshpëruar Ankaranë…”. Lidhur me udhëtimin e Mehmet Konicës për në Ankara, Pejeevi shkruante se bashkëbiseduesi i tij ishte i bindur “për një pritje të mirë të Konicës”, mirëpo me siguri se “personalisht ai, do të përmbahet nga përpjekjet publike kundër konventës së njëjtë turko-jugosllave”. Në fund të raportit Pejeevi informote edhe për takimin e një dite më parë të tij “me deputet të shquar shqiptar”, të cilët e kishin informuar se për marrëveshjen e njëjtë “disa deputet kosovar /për shembull Jashar Erebara/ kanë për qëllim të diskutojnë në komisionet përkatëse parlamentare ose të bëjnë interpelancë rreth këtij rreziku për elementin shqiptar në Jugosllavi…”. (vijon nesër)