Nga Qerim LITA
Kërkesa e mësipërme e mbretit Zog, thuhej në vazhdim të shkresës “për ne është shumë me rëndësi, sepse si duket mbreti Zog çështjes së pakicës shqiptare tek ne i ka kushtuar vëmendje të posaçme. Mbreti Zog tash përpiqet dhe dëshiron, që shqiptarët të cilët jetojnë në Kosovë e Maqedoni ta ruajnë gjuhën e tyre, të ngelin të vetëdijshëm për kombësinë e tyre, t’ua siguroj ekzistencën nacionale, me atë që në rast të ndryshimit eventual historik të ngelin si shqiptarë të vetëdijshëm. Që kjo aspiratë të arrihej, Zogu do të përpiqet që te ne të ndërpritet Reforma Agrare, të kthehet prona e konfiskuar dhe të hapen shkolla shqipe. Nëse jo shkollë, atëherë së paku nxënësve t’u ligjërohet nga një orë në ditë gjuha shqipe…”. Kjo dëshirë e mbretit Zog, thuhej në fund të shkresës “edhe pse mund të ngelet vetëm si dëshirë”, mirëpo, ekziston rreziku, sepse nuk duhet harruar se “të gjithë shqiptarët në Kosovë janë kompaktë” dhe nëse një ditë do të shtrohej çështja e mësipërme “do të jetë më e rrezikshme se problemi i Maqedonisë”.
E një rëndësie të veçantë është për t’u theksuar fakti, se gjatë vitit 1935, diplomati i shquar shqiptar, Sheremet Xhuxhuli, sëbashku me Rauf Fiçon, i cili asaj kohe përfaqësonte Legatën shqiptare në Beograd, themeluan organizatën studentore shqiptare “BESA”, në të cilën u përfshinë numri më i madh i studentëve shqiptar nga Universiteti i Beogradit dhe i Zagrebit, disa prej të cilëve më vonë luajtën rol të rëndësishëm në ndërgjegjësimin e çështjes kombëtare, si: Shuaip Kamberi, Ibrahim Lutfiu, Nexhmedin Besimi, Esad Doko, Shaip Mustafa, Sokol Dobroshi, Tahir Ismaili, Esad Berisha, Qazim Bllaca e shumë e shumë të tjerë. Kjo organizatë, së shpejti vendosi lidhje me krahun opozitar shqiptar të BFI-së.
Gjatë atij viti, ndodhën trazira të shumta edhe brenda organeve të Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit, të cilat erdhën si rrjedhojë të kërkesave të vazhdueshme të krahut opozitar shqiptar, që me këtë bashkësi të udhëheqin vendorët, përkatësisht shqiptarët, e jo klika serbomadhe e instaluar nga Bosnja e Hercegovina. Në anën tjetër edhe shumica dërmuese e popullsisë boshnjake-myslimane ishte e pakënaqur me politikën e organeve të atëhershme supreme të BFI-së. Me insistimin e kryetarit të “Organizatës së Myslimanëve të Jugosllavisë”, Mehmet Spaho, qeveria e Stojadinoviqit, pranoi të bëhen ndryshime radikale në organizimin e brendshëm të kësaj Bashkësie Fetare. Ndër pikat kryesore të marrëveshjes midis Spahos dhe Stojadinoviqit ishin: miratimi i Kushtetutës së re, kalimi i selisë së Reis-ul-Ulemasë nga Beogradi në Sarajevë, hapja e një medrese në Shkup (Medreseja Gazi Isa Beu) dhe organizimi i zgjedhjeve të lira.
Pas këtyre kërkesave qëndronte edhe opozita shqiptare e Mexhlisit të Ulemasë së Shkupit, e cila autorizoi Ferhat bej Dragën, që të mbajë kontakte me Spahon. Për rrjedhojë, më 25 mars të vitit 1936, organet supreme të BFI-së, sollën Kushtetutën e re e cila hyri në fuqi me 5 nëntor të atij viti, pasi u publikua në gazetën zyrtare.
Themelimi i organizatës studentore BESA si dhe ndryshimet brenda BFI-së, gjithsesi se sollën risi pozitive në skenën politike shqiptare. Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë Jugosllave i shkruante konsullit të Përgjithshëm në Stamboll se shpërngulja e shqiptarëve në kohë të fundit po hasë në vështirësi të mëdha, për arsye se “ata (shqiptarët) dëshirojnë të shpërngulen për në Shqipëri”, mirëpo Qeveria shqiptare, këtë shpërngulje është duke e penguar, duke i porositur përfaqësuesit e tyre diplomatik në Beograd e Shkup që “mos lëshojnë viza” për popullsinë shqiptare. Vështirësi rreth shpërnguljes së popullsisë shqiptare, autoritetet serbo-madhe hasën edhe me Turqinë. Legata turke në Beograd, më 12 tetor të vitit 1935, përmes një note njoftonte MPJ-ë jugosllave se “gjatë këtij viti, Turqia nuk do të pranoj më emigrantë, pasi janë shterur të gjitha kreditë për vendosjen e tyre”. Ky vendim i Ankaras, shkaktoi huti te jugosllavët, të cilët tashmë kishin filluar një fushatë të gjerë për pastrimin e fshatrave të tëra shqiptare. Sa për ilustrim po i referohemi shkresës së MPJ-së jugosllave me nr. 24350/IV, dërguar Legatës së saj në Ankara, përmbajtja e së cilës është me sa vijon: “Popullsia myslimane të fshatrave Drenogllavë dhe Kërbliq, rrethi i Gjilanit, Banovina e Vardarit, ka vendos të shpërngulet nga Mbretëria jonë për në Turqi. Një pjesë më e madhe tashmë është shpërngul, ndërsa pjesa tjetër më e vogël, rreth 110 persona, është vonuar për shkak pengesave rreth shitjes së pronës dhe rregullimit të sendeve tjera. Për çdo rast, Konsullata turke në Shkup atyre u pat premtuar t’u jep viza për t’u shpërngulur në Turqi, prandaj ata duke u bazuar në këtë i rregulluan sendet e tyre dhe përgatitën për në rrugë. Mirëpo, më 19 tetor 1935, Legata turke në Beograd, në mënyrë plotësuese njoftoi Ministrinë, se qeveritarët turk nuk janë më në gjendje t’i pranojnë as ata 110 persona nga Drenogllava dhe Kërbliqi dhe se Konsullatës së Shkupit i është lëshuar urdhëresë plotësuese që mos lëshoj viza…”.
Më 19 nëntor 1935, ministri për Punë të Brendshme të R. Turqisë, Shukri Kaja, para deputetëve të Kuvendit Popullor të Turqisë, paraqiti Propozim-ligjin plotësues për kolonizim. Në ekspozenë e tij të gjatë ndër të tjerave vuri në dukje se ligji ishte i ndarë në dy pjesë, përkatësisht atë “politike dhe kulturore”, për arsye se për “të parën duhet të themelohet resor i veçantë”, ndërsa pjesa e dytë “do t’i besohet Ministrisë së Shëndetësisë”. Përveç kësaj ai u shpreh se parashikohet “themelimi i një institucioni autonom”, i cili do të merret me emigrantët dhe i cili do të ketë buxhet të veçantë. Më tej ministri theksoi se numri i përgjithshëm i refugjatëve të vendosur në Turqi arrinte shifrën prej rreth 600.000 banorëve, prej të cilëve “mbi 400.000 janë ata të cilët kanë ardh përmes shkëmbimit të popullsisë ndërsa pjesa të tjetër ka ardh me vetëdëshirë…”. Nëse këto të dhëna janë të sakta, dhe nëse kësaj i shtohet se Turqia deri në atë periudhë kohore kishte arritur marrëveshje për shkëmbim të popullatës me Greqinë dhe Rumaninë, atëherë mund të arrijmë deri te konkluzioni se autoritetet jugosllave, midis harkut kohor 1918-1935, kishin arritur të shpërngulin rreth 200.000 banorë myslimanë (shqiptarë, turq e boshnjak) për në Republikën e Turqisë.
Ky numër nuk i kënaqte apetitet serbomadhe, prandaj ata bënin çmos që sa më parë të arrijnë marrëveshje me qeverinë turke, që këta të fundit si duket këtë çështje nuk e kishin në plan të parë. Kjo u pa kur në pranverë të vitit 1936, u përhap lajmi për arritjen e një marrëveshjeje midis Turqisë dhe Bullgarisë, sipas së cilës autoritetet turke kishin ra dakord që brenda atij viti të pranonin 10.000 banor turq nga Bullgaria. Ky lajm shqetësoi tej mase kryeministrin jugosllav, Stojadinoviq, i cili më 24 prill 1936 përmes një letre të shifruar, kërkonte nga i deleguari i tij në Stamboll, të merr informata të detajuara përse Qeveria turke “për çështjen e njëjtë vetëm me ne e shtynë arritjen e marrëveshjes”. “Po ua përkujtoj – thuhej në vazhdim të letrës – se i deleguari turk i këtushëm ka premtuar se kjo çështje do të rregullohet menjëherë pas një qershori. Ruzhdi Arasit t’ia shprehni qëndrimin tonë skajshmërisht miqësor ndaj Turqisë për të gjitha çështjet, ndërsa kjo nuk është rasti me Turqinë ndaj nesh…” Stojadinoviq nga i deleguari kërkonte që kësaj çështjeje t’i kushtoj vëmendjen më të madhe të mundshme, për arsye se siç do të shprehet “aksioni italian përmes Shqipërisë, na imponon të shpërngulim numër sa më të madh të popullsisë myslimane nga Jugu…”. (vijon nesër)