Në kuadër të kësaj, gjithnjë sipas këtyre burimeve, Ferhat bej Draga së shpejti kishte udhëtoi për në Stamboll, me ç’rast është takuar edhe me Mbretin Zog, ndërsa nëpërmjet “disa turqve më me ndikim ka arritur të lidhet edhe me disa personalitete të afërta me qeverinë turke.”. Ferhat Draga gjatë bisedës “ i paska premtuar Mbretit Zog, se ai dhe shqiptarët në Kosovë do të ngelin edhe më tutje besnik ndaj tij dhe se do t’i refuzojnë propozimet italiane…
Nga Qerim LITA
Pas pushtimit të Shqipërisë, nga Italia fashiste (7 prill 1939), qeveritarët e Beogradit, duke e shfrytëzuar fatkeqësinë e shtetit Shqiptar, ndërmorën masa edhe më radikale, me qëllim siç theksonin: “që njëherë e përgjithmonë ta heqin nga rendi i ditës çështjen shqiptare..”. Në kuadër të këtyre planeve, Komanda e Shtatmadhorisë së Armatës hartoi një Memorandum, në të cilin fillimisht përshkruhej disponimi i shqiptarëve nën sundimin jugosllav, pas pushtimit të Shqipërisë, ku sipas tyre gjithnjë e më tepër po e mbështesin politikën italiane. “Shqiptarët – thuhej në memorandum – janë të pakënaqur me gjendjen e tyre aktuale në Jugosllavi. Ky është një fakt të cilin nuk mund ta mbulojmë.. Konfiskimin e tokës bujqësore shqiptarëve, si edhe të kuptuarit se ato në territorin tonë janë vërtetë elemente të padëshiruara, gjithsesi se ka ndikuar pozitivisht në zgjerimin e propagandës në favor të Italisë.” Kjo gjendje sipas kësaj komande mund të paralizohej në dy mënyra: “ose sa më parë t’i shpërngulim nga territoret tona ose tua plotësojmë kërkesat e tyre në pikëpamje materiale dhe kulturore”. Lidhur me këto dy mënyra në memorandum thuhej: “Është e qartë se kjo e fundit ndoshta vetëm përkohësisht do t’i kënaqte, dhe që pastaj në një kohë sa më të afërt dhe në një moment për ne shumë të pafavorshëm, përsëri të kërkojnë bashkimin me Shqipërinë. Për këtë arsye është nevojë e patjetërsueshme, që me shpërnguljen e shqiptarëve nga këto troje të filloj sa më parë. Kjo sa më parë, sepse në këtë moment shqiptarët janë të dezorientuar, ndërsa marrëdhëniet tona të politikës së jashtme përball shqiptarëve aq shumë kanë përparësi saqë mundemi të punojmë ashtu siç dëshirojmë ne”.
Planet e mësipërme të pushtuesit serb, nuk do të realizohen, falë aktivitetit politiko-organizativ, të parisë intelektuale dhe nacionaliste shqiptare, që njihej si grupi opozitar i “Bojali Hanit”, ku si udhëheqës shpirtëror i tyre qarqet qeveritare serbomadhe e kishin shpallur Ferhat bej Dragën. Në kuadër të këtyre aktiviteteve duhet përmendur takimin e Zenel Strazimirit, Shaban Efendiut dhe Iliaz Agushit me konsullin shqiptar në Shkup, Hamit Kokolarin, i cili, u kishte garantuar atyre, se qeveria shqiptare, nuk do të lejoj në asnjë mënyrë të bëhet depërtimi i dhunshëm i shqiptarëve nga këto treva. Rreth këtij takimi, shërbimet informative jugosllave nga Shkupi njoftonin: “Nga paria shqiptare me ndikim ndërmerren masa, që shqiptarët në vendin tonë (Jugosllavi-Q.L..) të solidarizohen me gjendjen e re të krijuar në Shqipëri. Propagandohet se, për shqiptarët tanë kanë ardhur ditë më të mira”. Gjithashtu, në informatë theksohej se: “Konsulli shqiptar në Shkup, gjatë ardhjes së trupave italiane në Shqipëri, ju ka thënë deputetëve të popullit Zenel Strazimirit dhe Iliaz Agushit, se tash për shqiptarët në Jugosllavi do të jetë më lehtë.”.
Po këto shërbime, vazhdimisht njoftonin për takime dhe mbledhje të shpeshta që organizoheshin nga Ferhat bej Draga me grupin e tij në mbarë territoret shqiptare, në të cilat temë debati ishin, pengimi i shpërnguljes së dhunshme si dhe e ardhmja e çështjes shqiptare. Sipas njoftimit të shërbimit sekret të armatës jugosllave, merret veshtë se: “më 4 gusht të vitit 1939 në Prizren kishin qëndruar deputetët shqiptar: Kadri Saliu nga Gostivari, Ilaz Agushi nga rrethi i Nerodimes, Asim Murtezi Luzha nga rrethi i Drenicës, Mustafa Dërguti nga rrethi i Podrimës dhe Zenel bej Strazimiri nga rrethi i Kaçanikut. Ky delegacion shqiptar përveç rrethit të Prizrenit, “vizitoi edhe shumicën e rretheve tjera në Kosovë”, gjë që kjo, te kreu më i lartë i armatës jugosllave krijoi përshtypja se këto vizita kanë “prapavijë politike”, aq më tepër, që sipas burimeve të tyre: “që nga muaji qershor të këtij viti, në mesin e shqiptarëve tanë vërehet një gjallërim dhe takime të shpeshta të parisë së tyre. Të gjitha këto takime mbahen gjithmonë në mbrëmje dhe vetëm nëpër fshatra”, theksohet në fillim të këtij njoftimi, për të shtuar: “Agjentët e Italisë, nëpërmjet lidhjeve të tyre në Shkup, ju kanë parashtruar parisë shqiptare pyetjen: a dëshirojnë ata, që Italia, me kërkesën e tyre, në një moment të përshtatshëm dhe në një afat sa më të shkurtë, të filloj veprimin, që këto vise t’u bashkëngjiten Shqipërisë.” “Shqiptarët – vazhdon informata – nuk kanë dhënë as çfarë përgjigje, por menjëherë fillojnë konsultimet dhe studimin e mendimeve të personaliteteve të shquara shqiptare.”. Në kuadër të kësaj, gjithnjë sipas këtyre burimeve, Ferhat bej Draga së shpejti kishte udhëtoi për në Stamboll, me ç’rast ështe takuar edhe me Mbretin Zog, ndërsa nëpërmjet “disa turqve më me ndikim ka arritur të lidhet edhe me disa personalitete të afërta me qeverinë turke.”. Ferhat Draga gjatë bisedës “ i paska premtuar Mbretit Zog, se ai dhe shqiptarët në Kosovë do të ngelin edhe më tutje besnik ndaj tij dhe se do t’i refuzojnë propozimet italiane. Por, për këtë Mbreti Zog, duhet të veproj te qeveria turke, që të prishet konventa e nënshkruar ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë, lidhur me çështjen e shpërnguljes së shqiptarëve nga Jugosllavia.”. Veç kësaj, dy bashkëbiseduesit kanë ra në ujdi që: “Mbreti Zog të veproj mes qeverisë turke dhe demokracisë perëndimore, për rikthimin e tij në Shqipëri, që pas kësaj nga ana e shqiptarëve të Jugosllavisë do të iniciohet bashkimi me Shqipërinë”. Në fund të këtij njoftimi thuhet se: “vizita e fundit në Kosovë, nga ana e deputetëve shqiptar ka qenë, gjoja për qëllim, që sa i përket çështjes së bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, e iniciuar nga Italia, tash për tash ti jepet përgjigje negative…”.
Rreth qëndrimit të deputetëve shqiptar në Kosovë, njoftonte edhe shërbimi sekret i Ministrisë së Punëve të Brendshme, sipas së cilit: “më 5 gusht 1939, për Gjakovë kanë udhëtuar deputetët e popullit: Asim Luzha nga Drenica, Adem Marmullaku nga Istogu dhe Zenel Strazimiri nga Kaçaniku”. Këta në Gjakovë paskan pasur takim me kryetarin e komunës Sulejman Kryeziun dhe me anëtarin e këshillit ekzekutiv të Gjakovës, Ramiz Rizën. Qëllimi i vizitës, kishte qenë: “ngritja e vetëdijes kombëtare te elementi mysliman dhe grumbullimi i të dhënave për çështjen agrare”. Deputetët para miqve të tyre kanë deklaruar: “se ata do të kërkojnë te pushtetarët, që të gjithë shqiptarët që ju është marr toka të dëmshpërblehen në para.”. Po ky shërbim njoftonte për një mbledhje të krerëve udhëheqës shqiptarë, mbajtur në pjesën e parë të shtatorit, ku kishte marrë pjesë edhe Ferhat Draga. Në fjalimin e mbajtur, Draga, paska deklaruar se: “Shqipërisë do t’i bashkëngjiten të gjitha krahinat shqiptare deri në Nish.”. Ndërkohë. Ministria për Punë të Brendshme, përmes shkresës me nr. 13228, njoftonte se kryetari i Mexhlisit të Ulemasë në Shkup, Sherif Osmani (Langu) “para një kohe qëndroi në Manastir” me ç’rast “ka agjituar në mesin e popullsisë shqiptare, të mos shpërngulen për në Turqi…”.
Gjatë kësaj periudhe kohore, strukturat policore e ushtarake jugosllave nga Shkupi, pandërprerë njoftonin për aktivitete të bujshme të krerëve shqiptar në Kosovë e në viset tjera shqiptare nën Jugosllavi, të cilat si synim primar kishin ndërprerjen e tërësishme të shpërnguljes së popullsisë shqiptare nga vatrat e tyre për në Turqi. Në kuadër të kësaj, Komanda e Armatës së III në Shkup, njoftonte Shtabin e Përgjithshëm në Beograd, se paria shqiptare, kohë të fundit po zhvillon një aktivitet të dendur në mesin e popullsisë shqiptare, duke bashkëbiseduar në lidhje me Konventën e arritur midis Jugosllavisë dhe Turqisë: “Nga ato biseda – vinte në dukje Komanda e Armatës së III – shihet se shqiptarët janë shumë të brengosur për shkak konventës për shpërnguljen në Turqi. Udhëheqësit e tyre, në krye me Ferhat bej Dragën, u sugjerojnë që në asnjë mënyrë të mos i lëshojnë vatrat e tyre, sepse pushteti nuk ka rrugë dhe metodë që me forcë t’i shpërngulë….”. Më 2 shtator të vitit 1939, Shtabi i Përgjithshëm, njoftonte Ministrinë e Ushtrisë, atë të Punëve të Jashtme, komandantin e Armatës së III dhe komandantin e trupave kufitare, për një raport që i kishte arritur nga ana e Ministrisë për Punë të Brendshme, në lidhje me aktivitetin politik e propagandistik, që kohë të fundit po zhvillohej në Kosovë. Në të vihej në dukje se në ballë të atij aktiviteti qëndronte “Ferhat bej Draga, ish-deputet nga Mitrovica e Kosovës”, i cili, siç thuhej “është udhëheqësi ideor i mbarë popullsisë nga këto vise”. Ai, theksohej në vazhdim të dokumentit “para pak kohësh, i ka porositur miqtë e tij, se beson që Italia në një kohë sa më të shkurtër do t’i marrë këto vise, që deri atëherë shqiptarët duhet të kenë durim dhe të presin momentin e përshtatshëm për realizimin e qëllimeve të veta…”.
Gjatë muajve shtator-tetor 1939, një aktivitet të dendur pati edhe Mexhlisi i Ulemasë së Shkupit, ku një delegacion i lartë i udhëhequr nga Bedri Hamidi, vizitoi të gjitha qendrat më të rëndësishme që i përkisnin këtij mexhlisi, si: Prishtinë, Prizren, Gjilan, Ferizaj, Pejë, Mitrovicë, Gjakovë, Preshevë, Kumanovë, Tetovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë, Strugë, Ohër, Manastir, Ulqin, Novi Pazar etj., me ç’rast u mbajtën ligjërata me karakter fetar, kombëtar e politik nëpër xhamitë kryesore të këtyre qendrave. Nga tërë ky aktivitet, përmes një raporti të detajuar prej 59 faqesh, Mexhlisi i Ulemasë, njoftonte udhëheqësin supreme të BFI-së në Sarajevë, Reis-ul-Ulemanë Fehim ef. Spahon, për gjendjen e mjerueshme të popullsisë shqiptare-myslimane, për shkak, siç vihej në pah, politikës diskriminuese të pushtetit serbomadh. “Reforma agrare – thuhej në raport – e cila përbënte shkakun kryesor për varfërimin e të gjitha shtresave myslimane dhe i detyronte për t’u shpërngulur, në përgjithësi pati pasoja shumë të rënda. (vijon nesër)