Sir Alex Ferguson pritet të rikthehet në stolin e Manchester United për të përsëritur sfidën legjendare të vitit 1999 në finalen e Champions League ndaj Bayern Munich. 20 vite më parë në Camp Nou ka qenë një nga mbrëmjet më të paharrueshme të futbollit e cila e futi në histori United kur Ole Gunnar Solskjaer, tani në postin që ka mbajtur Ferguson për 26 vite, shënoi një gol në fund të takimit duke siguruar fitoren dhe duke kompletuar tripletën.
Dhe tani, sipas The Sun, United është duke organizuar një përsëritje të asaj sfide, të cilën United e fitoi 2-1, më 26 maj të këtij viti, fiks 20 vite më parë. Unitet dhe Bayern shpresojnë të rikthejnë në skuadër sa më shumë lojtarë të jetë e mundur për të luajtur këtë ndeshje ekzibicioni, dhe pretendohet se Ottmar Hitzfeld do të pranojë stolin e ekipit gjerman.
Ferguson është rikthyer në rolin e ambasadorit të klubit pas hemorragjisë që pësoi majin e kaluar. Solskjaer, heroi i asaj nate në Barcelonë, ka bërë një start fantastik në stolin e Djajve, duke fituar pesë ndeshjet e para.