Aleks Ferguson është një nga emrat më të njohur të futbollit në botë dhe të rrallë kanë qenë ata futbollistë të cilët i kanë thënë “jo” ofertës së tij për t’iu bashkuar Mançester Junajtid në vitet kur drejtonte skocezi. Megjithatë, ai ka zbuluar se një lojtar në veçanti e kishte refuzuar dhe se ai nuk kishte tentuar më që pas herës së parë kur kishet marrë nëj përgjigje epike.
Ferguson kishte shfaqur interes për Paolo Maldinin, flamurin e Milanit të madh dhe ishte takuar me Çezare Maldinin, babain e mbrojtësit, një emër gjithashtu i njohur i futbollit italian. Por përgjigja që kishte marrë për lojtarin nuk kishte lënë shteg për diskutime.
“Unë u mundova, por kur takova babain e tij, ai ishte i jashtëzakonshëm. Si përgjigje mora një tundje koke. Çfarë më tha? Asgjë”, tha Ferguson, i cili më pas kujtoi frazën epike që i kishte thënë Çezare Maldini.
“Jo, ai tha: Gjyshi im ishte Milan, babai im është Milan, unë jam Milan, djali im është Milan. Harroje”, tregoi Sër Aleks fjalët e ish-futbollistit dhe trajnerit legjendar i cili u nda nga jeta në vitin 2016.